Partia Socialdemokrate, ka reaguar pas shpalljes së dënimit nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, me nga 4 vjet e gjysmë burgim.
Përmes një komunikate, PSD thotë se aktgjykimi dënues ndaj Gucatit e Haradinajt, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë e as me të vërtetën.
“Asnjëra nga këto nuk mund të vijë nga Gjykata Speciale. Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në”, thuhet në reagimin e PSD-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, kjo parti ka bërë thirrje se nëse Gjykata Speciale është e Kosovës, atëherë ajo duhet të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës.
“Nëse nuk është e mundur, duhet ta trajtojmë si invazion institucional”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se sot, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.