Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë të ditur se ka shtrirë aktivitetin e saj në komunën e Drenasit.
Në një njoftim për media Partia Socialdemokrate thotë se po shtrihet dhe zgjerohet edhe në Drenicë.
Duke e paraqitur platformën socialdemokrate në hapjen e zyrës së PSD-së në Drenas, nënkryetari Qëndron Kastrati, sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti dhe koordinatori i degës Helidon Kastrati kanë ftuar qytetarët e Drenasit që të bashkohen në përpjekjen e përbashkët për organizim demokratik dhe për politika sociale.
Më tej PSD në njoftim thekson se politikat e Partisë Demokratike e cila qeverisë me komunën e Drenasit janë të papërgjegjshme.
“Qeverisja e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas ka qenë ndër vite manifestim i papërgjegjësisë, zhvatjes së parasë publike dhe nepotizmit. Si rezultat, Drenasi është sot ende pa aparatura mjekësore ekzistenciale në Qendrat e Mjekësisë Familjare, me infrastrukturë të dobët rrugore, si dhe me mungesë të trotuareve dhe të objekteve shkollore”.
“Modeli qeverisës i Partisë Socialdemokrate në Prishtinë dhe Kamenicë, me transparencë radikale, politika zhvillimore sidomos për shtresat e varfra dhe të mesme, funksionalizim të shërbimeve komunale dhe zgjerim të hapësirave publike, janë shembuj të nevojës së ushtrimit të politikave socialdemokrate në Drenas dhe gjithandej Republikës”, theksohet në komunikatën për media të PSD-së.
PSD-së, thotë se do të angazhohen në luftimin e pabarazisë.
“Angazhimi politik në Partinë Socialdemokrate, që po dëshmohet çdo ditë e më shumë me rezultate konkrete në zgjidhjen e problemeve ekzistenciale, si dhe në luftimin e pabarazive dhe padrejtësive, është mundësia e sotme për transformimin e nesërm shoqëror, që e vendos në rend të parë shumicën e anashkaluar nga kleptokracia e pushteteve që po i shërbejnë pakicës”, përfundon njoftimi.