Partia Socialdemokrate (PSD) është e bindur se do ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Madje kjo parti thotë se do t’i hyjnë të vetëm garës për zgjedhjet parlamentare.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi thotë për Ekonomia Online se kjo parti gëzon një përkrahje të konsiderueshme nga qytetarët dhe se janë të gatshëm të garojnë të vetëm në zgjedhje.
Thotë se ende nuk kanë marr asnjë ofertë për ndonjë koalicion parazgjedhor.
“PSD mund ta kalojë pragun, sepse është duke u rritur dhe jemi gati për zgjedhje, se përkrahja është duke u rritur dhe është një frymë e tillë para zgjedhjeve. Ndërsa për koalicione nuk jemi diskutuar me dikë deri më tani, duke marr parasysh edhe rrethanat në subjektet tjera, dhe jemi duke u bërë gati që të shkojmë vetëm dhe të shohim rezultatet”, thotë ajo.
Partia që udhëhiqet nga kryetari i Prishtinës, thotë se mirëpret vendimin për shpërbërjen e Kuvendit, ndërsa shprehet kundër formimit të një qeverie teknike.
“PSD-ja e ka mirëprit thirrjen që kuvendi të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje,kështu qe po e presim këtë datë qe të bëhet e mundur dhe të caktohet data e zgjedhjeve”.
“Gjitha partitë subjekte janë shprehur qe janë kundër qeverisë teknike, dhe janë shprehur që janë gati për zgjedhje. Duke u bazuar në të gjitha deklarimet e subjekteve përfshirë edhe PSD-në mund të them që nuk ka gjasa reale për formimin e një qeverie teknike”, thotë ajo.
Kuçi ka komentuar edhe deklaratën e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiut e cila ditë më parë iu referua PSD-së si “partiçkë”, duke e konsideruar si subjekt joserioz. Thotë se PSD-ja nuk do të vazhdojë ofendimet të cilat i nisi Vetëvendosja.
“Nuk mendoj që i kontribuojnë skenës politike ofendimet, ky shihet si një ofendim të cilin e nisi lideri i saj dhe po e vazhdojnë aktivistët. Ne si PSD nuk i vazhdojmë ofendimet të cilat i nisi Vetëvendosja”, thotë ajo.