Policia e Kosovës nuk ka lejuar aktivistë të Partisë Socialdemokrate që të vendosin mbishkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti i sovjetëve”, të objekti i Kuvendit të Kosovës, ku edhe ndodhet zyra e u.d të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Edhe përkundër insistimit, Policia ka penguar aksionin duke u përleshur me aktivistë të kësaj partie.
Fillimisht kjo parti në ndërtesën e Qeverisë ka vendosur këtë mbishkrimi.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, para medieve tha se kjo parullë, e përdorur para një shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas tij, në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare.
Ai më tej tha se krejt pushteti sovjetëve ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve.
Molliqaj shtoi se në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu.