Partia Socialdemokrate (PSD) sërish ka zhvilluar një aktivitet para ministrisë së Drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë ngjitur një baner me logon e pesë eurove si dhe me figurën e zëvendësministrit Hysen Durmishi.
Teuta Rrusta nga PSD-ja tha se rrugës duke ardhur kanë kuptuar që Durmishi e ka anuluar tenderin për tiketat prej 5 euro.
Ajo tutje tha se Durmishi duhet të shkarkohet dhe të hetohet, pasi që sipas saj, anulimi i tenderit ka ardhur për shkak të opresionit të opozitës.
“Rrugës tek po vinim e kuptuam që zëvendësministri ka pezulluar vendimin për tiketat ngjitëse në vetura, pas një presioni të madh të opozitës”.
“…kjo nuk erdhi si rezultat i vëmendjes që të luftohet plaçka e rrallës, por kjo erdhi se aty kishte tendenca që të fshihej hajnia dhe çka nëse nuk do të bëhej e ditur nga mediat dhe do të kalonte në heshtje a do ta ngriste vetë, natyrisht që jo kjo erdhi si rezultat i luftës së përbashkët të spektrit opozitar”.
Ndryshe, PSD-ja edhe të premten ka zhvilluar një aktivitet pranë ministrisë së drejtësisë, ku pastaj nga policia janë arrestuar anëtarët e PSD-së si dhe kryetari Dardan Molliqaj.