Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me bllokimin e diskutimit në seancë të Projektligjit për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë.
Në hyrjen e ndërtesës së Kuvendit, aktivistët e PSD-së vendosën mbishkrime “Kuvend jodemokratik”.
Nol Nushi, sekretar Organizativ, tha megjithëse e zvarritën sa mundën peticioni i nënshkruar nga mbi 11 mijë qytetarë, ku kërkohet inicimi i ligjit për faljen e gjobave të pandemisë, tash së fundi kaloi të gjitha procedurat burokratike, por jo edhe lejimin e pjesëmarrjes në seancë ku diskutohet dhe votohet kjo temë.
Sipas tij, Projektligji po refuzohet për inate politike.
Ai theksoi se është dekurajuese qasja e Kuvendit, përkatësisht kryeparlamentarit Konjufca, për qytetarët që kanë nevoja dhe organizohen rreth çështjeve në interes për ta. “Demokracia përfaqësuese është më e gjerë sesa formaliteti i shtruar në institucione”.
“Qysh po e shihni jemi para hyrjes së Kuvendit, një institucion i cili ishte dashtë me qenë i hapur për qytetarët, dhe i hapur për iniciativa qytetare. Mirëpo ne jemi këtu për të dëshmuar qysh ky kuvend praktikisht është mbyllur, është shndërruar në një bunker”.
“Partia Socialdemokrate, në bashkëpunim me qytetarët, vitin e kaluar në periudhën maj-qershor, kemi iniciuar një peticion për faljen e gjobave të pandemisë dhe kemi mbledhur më shumë se 11 mijë nënshkrime të qytetarëve për faljen e këtyre gjobave. Në këtë mënyrë ne kemi nisur një nismë legjislative dhe ia kemi dorëzuar Kuvendit. Kjo është vetëm njëra nga format qysh bëhen ligjet në Kosovë; pra ligj në Kosovë ka të drejtë të propozojë Presidentja, deputetët dhe Qeveria, por ligje kanë të drejtë të propozojnë edhe qytetarët”.
“Është hera e parë në historinë demokratike të Kosovës që një ligj propozohet në Kuvend nga qytetarët dhe kjo u zvarrit më shumë së një vit e gjysmë që të trajtohet. Nuk kishte çare proceduralisht që të trajtohet, shkuam në komisionin parlamentar për ta trajtuar këtë projektligj, por u refuzuam në bllok nga deputetët e pushtetit, të cilat pa asnjë argument nuk e votuan këtë dhe e refuzuan për inatet politike”.
“Ne si iniciatorë të këtij projektligji kërkuam në bazë të ligjit ta prezantojmë në seancë, ku do të trajtohet në seancën e Kuvendit. Presim për përgjigje dhe na kthehet një përgjigje e varfër ku thonë: ‘Ju lutemi caktojeni një deputet që ta prezantojë këtë projektligj’. Kjo Qeveri dhe ky Kuvend mbizotërohet nga kjo shumicë absolute populliste që nuk lejon iniciativa që nuk janë në kontrollin e tyre”, u shpreh Nushi.
Sekretari Organozativ i PSD-së theksoi se Ligji e mundëson, por deputetët e mazhorancës po e refuzojnë diskutimin e projektligjit në Kuvend.
“Në vend se të nxiten iniciativat e tilla dhe të mbrohen direkt nga qytetarët, frika e pushtetit zuri ulësen e tyre. Këta përfaqësues janë të kapur ngushtë pas pushtetit të tyre”, thekson PSD-ja.