PSD-ja paralajmëron padi ndaj medieve që “e lidhën” me PDK-në

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate (PSD) ka dorëzuar një ankesë në Këshillin e Medieve të Shkruara të Kosovës (KMShK) kundër një portali që raportoi se PSD-ja i është ofruar PDK-së për koalicion, me kryeministër Kadri Veselin.

PSD ka paralajmëruar padi për shpifje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, nëpërmes një postimi në Facebook .

“Pak më parë, e kemi dorëzuar ankesën kundër portalit “ballkani.info për shpifjen e bërë ndaj Partisë Socialdemokrate dhe Nënkryetares së Kuvendit Aida Dërguti”, ka njoftuar zëdhënësja Kuçi.

“Ballkani.info, ditën e djeshme tentoi të krijojë dhe të sajojë lajm të pasaktë për të lënë përshtypjen se PSD i është ofruar PDK-së për ta bërë kryeministër Kadri Veselin ndërsa kryetare të Kuvendit, Aida Dërguti, dhe që ky lajm të duket sikur ka ndodhë në të vërtetë”.

PSD e ka demantuar këtë lajm.

“Publikimi i këtij lajmi, me informacione të pa konfirmuara përbën shfrytëzim për qëllim të keqinformimit të opinionit publik”.

“Në parim, gazetarët duhet të kenë si qëllim që lajmi i tyre të jetë i mbështetur në burime të identifikueshme të informacioneve si dhe në publikim të lajmit pas marrjes së përgjigjes me shkrim nga znj. Dërguti”.

“Meqenëse, portali nuk e korrigjoi lajmin dhe nuk kërkoi falje për të njëjtën shpifje, ne sot dorëzuam ankesë në Këshillin e Mediave të shkruara, por këtë portal do ta padisim edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

Ballkani.info: PSD-ja iu ofrua PDK-së për ta bërë kryeministër Veselin. Kryetare e Kuvendit, Aida Dërguti

Portali Ballkani,info ka raportuar se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partitë opozitare i kanë ofruar PDK-së për të formuar një qeveri të re pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, por shtoi se ai nuk ka pranuar.

Madje, Veseli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se partitë opozitare që për dy vjet kërkuan zgjedhje ishin të gatshme të hyjnë në qeveri me kryeministër vet atë.

“Ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021 me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht vet mua. Ka pasur edhe oferta nga partitë të cilat tentojnë në opinionin publik të flasin për zgjedhje shumë të shpejta të parakohshme. Por jo, kjo nuk do të ndodhë për vet faktin se në rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht, qytetarët e meritojnë një qeverisje e cila do t’i drejtonte në një rrugëtim të zhvillimit të perspektivës dhe luftës kundër korrupsionit. Këto janë prioritetet më të mëdha në Kosovë, punësimi dhe lufta kundër korrupsionit”.

E Ballkani.info raportoi dje se partia që i ishte ofruar Veselit dhe PDK-së për vazhdimin e qeverisjes ishte PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Këto burime kanë thënë se PSD-ja ka kontaktuar me Veselin dhe kanë qenë të gatshëm ta mbështesin atë si kryeministër pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

“PSD-ja ka qenë e gatshme të futet në qeveri. Ata e kanë ofruar edhe dizajnimin e koalicionit të ri, duke e ofruar Aida Dërgutin, aktualisht nënkryetare e Kuvendit, si kryetare e re e Kuvendit. Pra njëfarë rotacioni, Veseli nga kryetari i Kuvendit, kryeministër, kurse Dërguti nga nënkryetare në kryetare të Kuvendit”, kanë thënë këto burime të paemërtuara..

Duke pasur parasysh se PSD-ja në Kuvend i ka 12 deputetë, aq sa i ka edhe AAK-ja e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, një matematikë e tillë do ta mbante “në këmbë” “Qeverinë Veseli” me 61 deputetë.

Lidhur me këto pretendime, Ballkani.info ka provuar të kontaktojë fillimisht me shefin e Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, më pas me deputetin Dardan Molliqaj dhe nënkryetaren e Kuvendit, Aida Dërguti. Mirëpo, asnjëri nga këta zyrtarë të lartë të PSD-së nuk është lajmëruar në telefon.

Ekonomia Online, ka kontaktuar edhe drejtorin ekzekutiv të portalit “Ballkan.Info”, Besnik Batushën.

Batusha tha se për lajmin e publikuar dje, portali Ballkan.info është thirrur nga burimet e saj të identifikueshme, duke shtuar se nuk qëndrojnë pohimet për keqinformim ose tendencë.

Sqarimi i plotë:

Ballkani.info është thirrë në burimet e veta të identifikueshme, të cilat vetëm sa e kanë konfirmuar atë që e kishte thënë paraprakisht z.Kadri Veseli citoj: “Ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021, me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës përkatësisht vet mua”. Po ashtu, ne si Ballkani.info para se ta publikojmë artikullin kemi provuar të flasim me zyrtarët më të lartë të PSD-së, perfshirë edhe vetë zonjën Aida Derguti. Këtë edhe mund ta deshmojme. Kemi provuar te flasim me shefin e GP te PSD-se, Dardan Sejdiu dhe deputetin Dardan Molliqaj. Ballkani.info ka qenë korrekt maksimalisht, duke botuar edhe reagimin e z.Molliqaj dhe të zonjës Dërguti. Ballkani.info ka pasur bashkëpunim korrekt me PSD-në, siç kemi bashkëpunim edhe me subjektet tjera, dhe se nuk qendrojnë pohimet për keqinformim ose tendencë.

Të ngjashme