Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës në lidhje me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë vendosur para hyrjes së Kuvendit një pankart me mbishkrimin “Secili punëtor publik dhe familja e tij janë subjekt i hetimit nga Byroja e Partisë”.
Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, tha se Qeveria po dëshiron të shohë secilin si të dyshuar dhe të kontrollojë agjencionet e pavarura.
“Sot në Kuvend është në rend dite ligji cili do ta formojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, zakonisht, pushtetet demokratike kujdesen për mirëqenien e qytetarëve dhe për pavarësinë e institucioneve. Qeveria e Kosovës ka pasur dy synime krejt të tjera, e para me e pa secilin si të dyshuar dhe e dyta, secilin agjencion apo organizim të pavarur me ia ngushtu ose me kontrollu kompetencat e tij”, deklaroi Molliqaj.
Tutje, ai ka thënë se kjo byro nuk është shtetërore, por politike. Molliqaj duke kritikuar qeverinë, ka shtuar se po të kishin pasur synim korrupsionin e drejtësinë, ndryshe do të kishin vepruar.
“Kjo byro nuk është byro shtetërore, por është byro politike e shantazhit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kur ke për synim drejtësinë ajo është shumë më e qartë dhe shumë më e ngushtë kur synimi është i përgjithshëm dhe shantazh ajo është shabllon, me një ligj këta duan që secilin polic, secilin ushtar, secili punonjës teknik në shkolla, secilin mësimdhënës, secilin mjek, secilin qytetar, pra që merr në një formë ose në një formë tjetër para nga shteti i Kosovës, ose ka marrë nga viti 2008 kur është shpallur Pavarësia e Kosovës është i dyshuar për republikën e Kosovës përkatësisht për Qeverinë e në fakt për byronë e partisë. Po të kishin pasur këta synim korrupsionin e drejtësinë ndryshe kishin vepruar, por këta e kanë synim shantazhin prandaj këta po dojnë me e shpall të dyshuar secilin. Në pushtetet e kaluara ka qenë bashkëpunëtor secili, pra ju e dini për numrin e madh të njerëzve që kanë qenë nëpër agjensione të shërbimeve informative këta atë nuk mund ta bëjnë tash, por këta po synojnë që secilin ta bëjnë njeri i shantazhuar dhe i dyshuar pra këta edhe punonjësit e teknik të shkollave të Kosovës janë të hetuar për mundësinë e keqpërdorimit e mos të flasim për kategoritë e tjera shoqërore”.
Sipas tij, Qeveria po krijon ligje për të shantazhuar kundërshtarët e saj politikë dhe institucionet e pavarura.
“Ne këtu kemi tregu qysh në bazë të shumë emrave që janë prezent në shoqërinë tonë, qysh secili mundet me e gjetë vetën pjesë e këtij hetimi, çka është duke dashur me synu partia në pushtet me këtë, as drejtësi e as luftë të korrupsionit as konfiskim të pasurisë është t’u dashtë me pas instrument qeveritar ligjor sepse e krijon ligjin vet për me shantazhu së pari kundërshtarët e vet politikë, së dyti institucionet e pavarura siç janë prokurorët dhe gjyqtarët, ju e dini evidencën e vazhdueshme të kësaj qeverie për me i kontrollua këta dy sektorë dhe përmes kësaj secilin zyrtar me e shantazhu për veprimet dhe mos veprimet e tij”.
“Besojmë se në thelb ky ligj është antidemokratik, në thelb ky ligj nuk ka asnjë synim për të drejtuar drejtësi apo luftë ndaj korrupsionit por ky ligj e themelon byronë e partisë në pushtet e cila do të jetë instrument i saj kundër të tjerëve, prandaj ne besojmë që secili që e do demokracinë, që secili që e do lirinë e drejtësinë duhet me e kundërshtua. Ky është aksioni jonë i parë i cili e ngreh alarmin për atë që po vjen por sigurisht që do të vazhdojmë aksione dhe jemi të gatshëm e të interesuar të bashkëpunojmë me secilin që ky ligj dhe kjo agjensi, përkatësisht ligji të mos kalojë e agjensia mos të themelohet”, ka përfunduar Molliqaj.