Partia Socialdemokrate (PSD), ka vendosur një banner me figurën e kryeministrit Albin Kurti i cili duket si “pinokio”, dhe njoftimin për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.
Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, tha se arsye e këtij aksioni është ftesa për protestën e së shtunës që mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit. E sa i përket bannerit, Nushi pati një shpjegim.
“Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në Sheshin e ‘Zahir Pajaziti’. Hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit edhe e gënjeshtrës së tij në raport me dialogun me Serbinë. I gjithë pushteti i tij sa ishte në opozitë ishte dialogu me Serbinë, kundërshtimi i këtij dialogu, protestat më të mëdha kanë qenë të organizuar nga ai kundër ‘Zajednicës’, çka po ndodh sot është pranim i të gjitha atyre marrëveshjeve që ai i ka kundërshtu dhe pranim i ‘Zajednicës’”, tha ai.
Nushi tha se marrëveshja e Ohrit, e konfirmon dorëzimin e Kurtit përballë Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mos të harrojmë duhet me kujtu për ditë, ndalimi i ‘Zajednicës’ përgjatë 10 viteve ka ndodhur me sakrifica të mëdha , qindra ditë burg të aktivisteve, kanë vdekur njerëz, janë arrestuar njerëz, janë shpenzuar kohë, mjete për ta bërë atë rezistencë që për 10 vite të mos formohet Asociacioni. Marrëveshja e Ohërit na konfirmoi që Kurti është dorëzuar”, u shpreh ai.
Duke folur për protestën e së shtunës, Nushi kërkoi që t’i bashkohen edhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i konsideron si të mashtruar nga Kurti.
“Protesta e së shtunës është kundër kësaj marrëveshje të dëmshme dhe kundër mashtrimit. Pavarësisht se sa vota i ke, sa më shumë vota që i ke aq më i madh bëhet mashtrimi, në këtë rast Kurti e ka mashtruar elektoratin e vete, kjo është e rrezikshme për demokracinë dhe është e shëndetshme nëse ne dalim e të protestojmë e nuk lejojmë që kjo të na shitet si diçka e mirë. Unë pres që pjesë e protestës më së shumti të jenë anëtarët e VV-së sepse ata janë më të mashtruarit, ata e kanë votuar udhëheqësin e tyre për me i ndalë këto konvenime ndaj Serbisë”, tha në fund Nushi.
Ndiqni pamjet më poshtë: