PSD publikon pamje nga arrestimi i aktivistëve, thonë se do ta dërgojnë rastin në IPK

Prishtinë | 17 Qer 2022 | 14:22 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate ka publikuar pamje nga arrestimi i kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj nga Policia e Kosovës, të cilin e kanë quajtur arrestim të dhunshëm, raporton Ekonomia Online.

Në video-incizim shihet se si një polic me rroba civile pasi e shtrin në tokë një aktivist, ia vendosë këmbën në qafë.

Në konferencë për medie të premten, PSD ka paralajmëruar se do ta dërgojë rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se arrestimi i tij ka qenë politik dhe se njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës është militant i partisë në pushtet.

“Pse pikërisht ky urdhër arrest u aktivizuar një ditë para protestës së veteranëve. Një ditë para protestës policia fillon më kërkuar Molliqajn. Dhe a e dini çka na tha policët në mënyrë jo formale kur i pyetëm se pse e keni bë këtë shkelje? Na thanë që patëm shumë presion prej naltë, u dashke me arrestuar sepse kishim presion prej naltë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka folur edhe për njërin nga policët që ka marrë pjesë në aksionin ku janë arrestuar zyrtarët e PSD-së, duke e përmendur me emër njërin nga policët.

“Mundet me u doke se është një polic i pasjellshëm por, polici është Blerim Shala. Polici më i dhunshëm është Blerim Shala, i cili nga postimet e tij shihet qartë që militant i VV-së dhe i pushtetit. Kjo është forma e kapjes së shtetit, totalitarizmit, forma e përdorimit të policisë dhe gjykatave. Pse e arrestuan pikërisht dje Molliqajn. Vetëm për me mbjell frikë këtu”, ka deklaruar Krasniqi.

Përndryshe, Molliqaj dhe anëtarët e tjerë të PSD-së janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të protestës së veteranëve të cilën kërkuan që të përfshihen në rritjen e pagës minimale.

Të ngjashme