Shkruan: Andi Bushati
Lulëzim Basha ka shfrytëzuar një incident në emisionin “Opinion” për të bërë një deklaratë sa të fortë aq edhe të papritur. Duke shfrytëzuar një pretendim korrekt të gazetarit Fevziu, për të mos i lënë spektatorët të bëhen protagonistë në sallë, duke shfrytëzuar këmbënguljen e tij se një studio debati nuk duhet kthyer në miting partie, ai është vënë nën lëkurën e një lideri populist, për shpallur me forcë se “mediat e kapura nuk do t’i shpëtojnë përmbysjes që po vjen”.
Po ta shokosh edhe njëherë ftohtë atë sekuencë që dukej sikur ishte menduar më parë, atë qytetar që u ngjit “spontanisht” në skenë për të marrë fjalën, e kupton lehtësisht se shpërthimi i Bashës nuk ishte krejtësisht i pafajshëm. Ajo ishte një goditje e paramenduar që synonte drejtpërdrejt televizionin Klan dhe pronarin e tij Aleksandër Frangaj.
Dhe Lulzim Basha, u kujdes që në këto deklarata të mos kishte asnjë ekuivok dhe asnjë keqkuptim. Ai vazhdoi edhe më tej në bisedë të kërkonte falje për ata që quheshin si “kapitenë të mediave” dhe që nxorrën përfitime kolosale në dëm të interes publik, duke ndejtur në paradhomat e pushtetit dhe duke ndikuar vendimet e tij.
Pra, në gjithë vijëqëndrimin e tij, duket qartë qëllimi për të goditur atë televizion që u bë makineria rangallë e qeverisjes së Berishës dhe pronarin e tij që i binte gjoksit nëpër studio, duke folur me “NE” në emër të PD-së.
Dhe nga ana taktike deri këtu Basha nuk pati asnjë gabim.
Të sulmoje Klanin drejt e nga studioja e “Opinion” ishte një akt i guximshëm.
Të tregoje me gisht një ekran që i ka shërbyer deri në neveri të gjitha pushteteve me radhë dhe që është shndërruar në vitrinën e kastës që zhvat qytetarët, ishte të kaloje përtej entuziazmit të çadrës.
Të ngrije zërin për të thënë se kjo lloj media do të përmbyset bashkë me ata që ka zgjedhur si padronë të radhës ishte një akt që shkon në të njëjtën valë me interesin e publikut.
Të kërkoje falje për dëmet që i janë bërë intersit publik nga pronari mediatik që qëndronte në paradhomën e kryeministrit, ishte një akt që tregonte reflektim dhe përunjësi.
Në të gjithë këtë kuadër “preja” që Basha kishte zgjedhur për të bërë figurë të mirë ishte e goditur. Sado që të kishte kërkuar, ai nuk do të kishte zbuluar dot një target më të mirë që është bërë simbol i alergjisë, zemërimit dhe përçmimit popullor.
Por nëse objektivi i Bashës është që të bëhet simpatik dhe i pranueshëm për një qerthull njerëzish përtej PD, objektivi i kritikëve të tij duhet të shkojë përtej.
Ai nuk mund të kënaqet më as me falje, as me deklarata, as me premtime në erë.
Këtë film ne tashmë e kemi parë.
Edhe Sali Berisha e bojkotoi TV Klanin për dy vite me radhë. Por kur u kthye në pushtet u bë një nga financuesit legal dhe okult të tij.
Edhe Edi Rama nuk reshti së çuari “të fala” live nga selia e PS-së, por kur u ngjit në zyrën e kryeministrit, firmën e parë të shkatërrimit të Tiranës e vuri në favor të Alekos që tallte dikur.
Në këtë kuptim, sado e gjetur qoftë, sado konsensus popullor t’i japë, sado të shtojë ujë në mullirin e propagandës së tij, beteja me fjalë që Basha po bën me mediat e kapura nuk është e besueshme.
Ata që janë zhgënjyer nga e shkuara nuk mund të shpresojnë më se mbi të njëjtat argumente mund të ngrihet edhe e ardhmja.
Dhe për të shmangur këtë, për t’u bërë bindës lideri i PD nuk duhet të mjaftohet më vetëm me deklarata.
Përpos pathosit të mitingjeve, ai duhet të kalojë edhe në akte ligjore. Ai duhet të shprehet se çdo të bëhet me shfuqizimin e atij paragrafit të nenit 62, që i lejoi pronarët aktualë të mediave t’i kthejnë TV-të në kioska familjare. Ai duhet të shprehet se çdo të bëjë më ato ekrane që fshihen pas pronësive të rreme dhe emrave fiktivë, në shkelje të ligjit, njësoj si të fortët e politikës. Ai duhet të shprehet se çdo të bëjë me dallaverin e ndarjes së frekuencave kombëtare.
Pra shkurt, ai duhet të propozojë një paketë ligjore për “dekriminalizimin” e mediave.
Vetëm kështu ai mund të bindë se nuk po tallet edhe njëherë me publikun, suke vepruar si Berisha dhe Rama, që i sulmuan “mediat e kapura” kur qenë në opozitë dhe pastaj i trajtuan si prostituta kur erdhën në pushtet.