Pse gjermanët kursejnë më shumë se popujt tjerë?

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 13:23 | Nga

Gjermanët njihen se janë shumë të kujdesshëm kur shpenzojnë paratë dhe janë të prirur të vënë disa para mënjanë si në kohë të mira edhe në kohë të këqija.

Por nga vjen ky reputacion? Një ekspozitë në Berlin, e quajtur “Kursimet – Historia e virtytit gjerman”, shpjegon historinë pas kësaj “manie” kombëtare.

Sido që ta perceptoni tendencën e gjermanëve për të kursyer, është e qartë që ky zakon nuk erdhi rastësisht.

Ekspozita tregon se mbi 200 vite reklamim nga bankat dhe qeveria kanë vënë në dukje rëndësinë e të vënit para mënjanë si garanci për të ardhmen. Kjo është rrënjosur dalë ngadalë në psikologjinë e kombit, shkruan ‘Scan’.

Ideja se një person i përgjegjshëm kursen për t’u kujdesur në të ardhmen për veten e tij dhe për familjen u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare në fillim të shekullit të 18-të, përcjell albinfo.ch.

Bankat filluan të vizitonin shkollat, duke u mësuar fëmijëve të kursejnë që në moshë të re. Shumë shpejt edhe shteti e pranoi këtë fenomen, çka solli një “shpërthim” në numrin e bankave të kursimit të bashkive në fillim të shekullit të 19-të.

Qeveria kuptoi shumë shpejt se bankat e kursimit shërbenin për disa qëllime njëkohësisht: ato ndihmonin në parandalimin e varfërisë, nga ana tjetër ndihmonin të garantohej kontrolli social, si edhe së treti ndihmonin komunat që kishin nevojë për fonde pas luftërave me Napoleonin.

Kursimi ka qenë pjesë e jetës edhe në kohët e vështira në Gjermani. Gjermanët u inkurajuan të blinin bono lufte për të ndihmuar vendin gjatë Luftës së Parë Botërore. Mentaliteti i të kursyerit mbijetoi edhe gjatë krizës së pasluftës dhe inflacionit të lartë të Republikës së Vaimarit, edhe pasi vlera e kartëmonedhave gjermane u zerua në vitin 1923.

Pas Luftës së Dytë Botërore, bankat filluan të përshtasnin reklamat me jetesën në ndryshim. Nga viti 1970 e tutje, marketingu e adresonte të kursyerit jo si obligim moral, por si një zakon që të lejon të kesh prona ose të shkosh me pushime.

Edhe normat e ulëta të interesit e viteve të fundit nuk e kanë zbehur qëndrimin e gjermanëve ndaj kursimit. Ekspozita shprehet se “të patrazuar nga superinflacioni, krizat ekonomike botërore, apo interesat historikisht të ulëta, gjermanët kanë mbajtur një normë të lartë konstante kursimi për një kohë të gjatë, pa pothuajse asnjë devijim të thellë dhe duke reaguar shumë pak ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike.

Dhe ja pse gjermanët kursejnë pavarësisht çdo gjëje. Për shumë qytetarë të Gjermanisë, të paturit një bilanc pozitiv është një synim që ia vlen çdo përpjekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme