Gjyqtarët e Speciales në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë vendosur ta shfrytëzojnë edhe afatin 60-ditor shtesë për vendimin final.
Nacionale mbrëmë raportoi se vendimi është marrë ditën e djeshme.
Si rezultat, gjyqtarët vendosën që vendimi të shtyhet të paktën deri më 20 korrik, me mundësi që të shtyhet sërish.
Por, si është e mundur që ky vendim u mor, bash pasi në Kosovë u caktua data e zgjedhjeve?
Nëse do të respektohej afati prej 90 ditësh, vendimi do të duhej të shpallej para 19 majit. Pra, para zgjedhjeve.
Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka aluduar se kjo është për arsye politike.
“Njëherë ia shtynë ardhjen te babai i sëmurë për shkak të zgjedhjeve. Tani thuhet që sërish shtyhet verdikti për shkak të zgjedhjeve! A po e shihni sa politike është kjo gjykatë?”, ka shkruar Behrami.
Një gjë të tillë e deklaroi edhe Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës.
“Shtyrja e radhës e vendimit për krerët e UÇK-së deri më 20 korrik nga Gjykata Speciale, nuk është asgjë tjetër veçse një vendim i pastër politik dhe një padrejtësi e radhës që rëndon mbi kurrizin e historisë sonë. Që nga fillimi i këtij procesi, ne nuk pamë, transparencë, paanshmëri dhe drejtësi të vërtetë.Në vend të tyre, pamë vetëm montime dhe padrejtësi të veshura me petkun e ligjit. Po tentojnë të gjykojnë lirinë, por liria nuk mund të prangoset. Burrat e mëdhenj të kombit, që sot po mbahen padrejtësisht në Hagë, janë vetë dëshmia e sakrificës sonë për ekzistencë. Mund ta vonojnë, por kurrë nuk do ta mposhtin të vërtetën. Në fund, pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi çdo intrigë e çdo gjykatë”, ka shkruar Gucati.
Kujtojmë se në një raport të fundit të Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells, janë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke prezantuar raportin e Komitetit, tha se vazhdimi i paraburgimit dhe refuzimi i mundësisë për lirim nga paraburgimi, janë elemente që kanë cenuar procesin.
“Raporti evidenton shqetësime serioze për kohëzgjatjen e paraburgimit, refuzimin e lirimit të parakohshëm, dhe kufizimet në komunikim me familjen. Fakti që deri më tash ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite pa filluar procesi, bën të kuptohet që një pretendim i tillë nuk është vetëm shqetësim, por fakt konkret”, ka thënë Qelaj, raporton Nacionale.
Problem tjetër, ka qenë edhe mbikëqyrja e komunikimeve në qendrën e paraburgimit.
“Mbikëqyrja sistematike e komunikimeve që jam ballafaquar edhe unë, jam vëzhgu nga personeli i paraburgimit, jam xhiru nga dy kamera, raporti konstaton se mbikëqyrja sistematike, kjo kornizë ka dyshime serioze për cenim të Konventnës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimet që kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar, por kalojnë edhe përtej atyre shqetësimeve”, ka thënë më tutje Qelaj.
Ekspertët e njohur britanikë kanë konstatuar se raporti ka ngritur shqetësime serioze për një gjykim të drejtë dhe të pavarur.
“Lidhur me juridiksionin, transparencën, raporti ngre shqetësime serioze mungesën e një institucioni mbikëqyrës, dhe kontrolli institucional. Sa i përket standardit të Gjykatës kompetente të pavarur, për gjykim të drejtë, raporti evidenton shqetësime serioze në emërimin e trupave gjykues. Raporti konstaton se kryetarja ka diskrecion për të emëruar panelet, konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregullën 12. Kërkesën për përjashtimin e kryetares së Gjykatës e trajton vetë kryetarja, që tregon se ka probleme serioze”, ka thënë Qelaj më tutje.