Është përgjegjësia jonë kolektive për të siguruar që shekulli XXI-të të mos përsërisë dhimbjet dhe gjakderdhjet e të shkuarës. Për shkak se natyra e njeriut është në thelb e dhembshur, unë besoj se është e mundur që disa dekada nga tani do të shohim një epokë të paqes – por ne duhet të punojmë së bashku si qytetarë globalë të një planeti të përbashkët.
Kanë kaluar gati 6 dekada qëkur braktisa atdheun tim, Tibetin, dhe u bëra një refugjat. Falë mirësisë së qeverisë dhe popullit të Indisë, ne tibetianët gjetëm një shtëpi të dytë, ku mund të jetojmë me dinjitet dhe në liri, të aftë për të mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona budiste. Brezi im ka dëshmuar aq shumë dhunë – disa historianë vlerësojnë se më shumë se 200 milionë njerëz janë vrarë në konfliktet e shekullit XX-të.
Aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje në horizont ndaj dhunës së tmerrshme në Lindjen e Mesme, e cila në rastin e Sirisë ka çuar në krizën më të madhe të refugjatëve në një gjeneratë. Sulmet e tmerrshme terroriste – të cilat i përjetuam me trishtim këtë fundjavë në SHBA – kanë krijuar një frikë të rrënjosur thellë. Ndërsa është e vështirë të kesh një ndjenjë dëshpërimi dhe mungese shprese, por është edhe më e nevojshme që në vitet e para të shekullit të XXI-të të jemi realistë dhe optimistë.
Ekzistojnë shumë arsye qe ne të jemi shpresëplotë. Njohja e të drejtave universale të njeriut, përfshirë të drejtën për vetëvendosje, është zgjeruar përtej çdo kufiri që mund të imagjinohej një shekull më parë. Ka një konsensus ndërkombëtar në rritje në mbështetje të barazisë gjinore dhe respektit ndaj grave. Veçanërisht në mesin e brezit të ri, gjaslon një refuzim i gjerë ndaj luftës, si një mjet për zgjidhjen e problemeve.
Në të gjithë botën, shumë persona janë duke bërë punë të vlefshme për parandalimin e terrorizmit, duke njohur thellësitë e keqkuptimit dhe idenë përçarëse të “ne” dhe “ata”, që është aq e rrezikshme. Reduktimet e rëndësishme në arsenalin botëror të armëve bërthamore, nënkuptojnë vendosjen e një plani kohor për reduktime të mëtejshme dhe eliminimi përfundimtar i këtyre armëve – një ndjenjë që presidenti Obama e përsëriti kohët e fundit në Hiroshima të Japonisë – nuk duket më thjesht një ëndërr.
Koncepti i fitores absolute në njërën anë dhe humbjes në anën tjetër, është tërësisht i vjetëruar; në disa situata, pas konfliktit, vuajtja rritet në atë shkallë sa që s’mund të përshkruhet dot si luftë apo paqe. Dhuna në mënyrë të pashmangshme shkakton dhunë të mëtejshme. Në fakt, historia ka treguar se rezistenca paqësore nxitet në demokracitë më të qëndrueshme dhe paqësore, dhe është më e suksesshme në largimin e regjimeve autoritare se sa përplasja e dhunshme.
Nuk është thjesht e mjaftueshme të lutemi. Ekzistojnë zgjidhje për shumë nga problemet me të cilat përballemi; duhet të krijohen mekanizma të reja për dialog, së bashku me sistemet e arsimit për të rrënjosur vlerat morale. Këto duhet të bazohet në perspektivën se ne të gjithë i përkasim një familje njerëzore, dhe se së bashku mund të marrin masa për të adresuar sfidat globale.