Pse jemi më të varfërit

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 14:57 | Nga Kimete Berisha

(Dhe më të lumturit.)

…

Kosova është vendi më i varfër në Evropë.

Evropa punon.

Kosova analizon papunësinë.

Ata prodhojnë pasuri.

Kosova prodhon:

analiza,

komisione,

konferenca,

statuse patriotike,

dhe ekspertë të çdo fushe.

…

Por:

Kosova e ka një industri.

E vetmja industri që prodhon pa ndërprerje është padija:

ushqehet,

gradohet,

emërohet,

udhëheq arsimin,

shkencën,

ekonominë,

dhe vendos kush – kujt.

…

Nuk ka qeveri që nuk ka premtuar:

revolucion ekonomik,

investime strategjike,

transformim digjital,

dhe “vende pune me dinjitet”.

Por,

iriqin prej ferrave s’e nxjerr dot.

Sepse,

shoqëria shqiptare nuk prodhon – konsumon.

Një supermarket gjigant përballë një gjigandi tjetër.

Quhet:

zhvillim ekonomik.

…

Pas luftës,

mafia politike i privatizoi tokat dhe fabrikat për pesë pare

(edhe sot vazhdon),

shitën qebaptoren e babës,

blenë gazeta e gazetarë

dhe tani realitetin nuk e tregojnë – e krijojnë.

Gazetarët flasin e shkruajnë si tregtarë,

sepse paguhen nga tregtarët.

Nuk mund edhe të paguhesh edhe të jesh i pavarur.

…

Fabrikat?

Edhe brekët i blejmë nga Turqia.

Hudhrat nga Kina.

Mollët nga Greqia.

Djathi vendor?

Me pak helm industrial dhe shumë patriotizëm ushqimor.

Pronari thotë:

“Çka di unë. S’jap përgjegjësi për helmin në qumësht. Unë e shes djathin.”

Drejtësia:

E kontaminuar.

Ndërkohë,

Ministria e Bujqësisë ndan miliona për bujq fantomë.

…

Kush ka faj?

Kur pozita del në opozitë,

fajin e ka pozita.

Dhe anasjelltas.

Sipas Albin Kurtit:

Nuk jemi të varfër por të vjedhur.

E kush po na vjedh qe shtatë vjet?

Ende sekret.

Sipas analistëve:

populli ka faj që duron.

Sipas popullit fajin e kanë:

Serbia,

Evropa,

moti,

fati,

Lindja e Mesme

dhe hajnat e qeverisë.

…

Edhe

Albin Kurti erdhi në pushtet me premtimin:

“Do ta zhvillojmë shtetin.”

Dhe shteti vërtet u zhvillua.

Sot formulari refuzohet online.

Ky është progres digjital.

Vuajtja është modernizuar.

Nuk pret më në rend për të vuajtur.

…

Strategjia ekonomike e Albin Kurtit është origjinale, e paparë në fytyrë toke:

Sadaka për të gjithë.

Edhe:

Për fëmijët e varfër.

Për fëmijët që shkojnë në shkollë me G-Class.

Për gratë pa bukë.

Për gratë milionere që me ndihmën sociale të Kurtit blejnë parfum francez dhe darkojnë në Dubai.

A jam e qartë?

Diaspora që e mban Kosovën me bukë,

merr ndihma humanitare nga Kosova.

Pronari i tri restoranteve në Evropë

merr subvencion nga Albin Kurti për familjen e tij.

Më kupton?

Kapitalistët marrin ndihma sociale nga shteti më i varfër.

Qeveria i shan oligarkët,

por u jep ndihma humanitare.

Një sistem social që e urren kapitalizmin, por e ushqen atë.

Këtë absurd mund ta shpikë

vetëm Albin Kurti.

…

Ama:

Shqiptarët janë magjikë.

Të gjithë ankohen për varfërinë,

por:

parkingjet janë plot,

kafeteritë plot,

dasmat me fishekzjarre,

iPhone nuk është luks.

(Sidomos për ata që “s’kanë pare”.)

Si quhet kjo ekonomi?

Ekonomi metafizike.

Shpirtërore.

Paranormale.

Askush nuk e di prej nga vijnë paratë,

por të gjithë e dinë:

“nuk jetohet këtu.”

Dhe prapë:

askush nuk çohet nga kafja.

…

Shqiptarët jetojnë sot për sot.

Me kredi shkohet në det.

fryhen buzët.

bëhen vetullat.

blihet luksi estetik.

E fshehin varfërinë, si të vdekurin,

derisa të kryhet dasma.

Fantastikë.

Pra:

i varfri shqiptar

merr kredi për të mos u dukur i varfër.

As gratë e papuna,

nuk i lajnë më tepihët me dorë,

si nanat tona në gjunjë,

me shllaf e çetkë.

Jo.

I çojnë në servis profesional.

Aristokraci e varfërisë.

Të gjithë duken “million dollar baby”,

edhe kur rroga është më e vogël se çanta që mbajnë në krah.

…

E me krizën ekonomike bëhet spektakël moral.

Rryma?

Debat patriotik.

Çmimet?

Debat kombëtar.

Shtrenjtohet buka?

Edhe më mirë.

Nuk trashemi kot.

Panel televiziv:

“Kush po e tradhton popullin?”

Popullin e varfër e qajnë

gazetarët

dhe politikanët milionerë.

…

EPILOG

Megjithatë, këtu

ka diçka spirituale.

Një filozofi e padëgjuar.

Shqiptarët janë edhe më të varfërit,

edhe më të lumturit në Evropë!

Si arrihet kjo?

Arrihet kur e pranon

se lumturia nuk blihet me pare.

Lumturia është shpirtërore.

Është gjendje.

Vendim.

Vendos të jesh i lumtur me çdo kusht.

Dhe ai besimi që të mban:

asgjë nuk marrim me vete…

Riskun e cakton Zoti.

S’i merret asgjë me zor.

Studimet sugjerojnë se muslimanët janë më optimistë dhe më të lumtur se të tjerët.

Arsyeja:

Psikologjia pozitive.

Premtimi i Librit të Shenjtë se:

“Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.”

Kjo duhet të jetë fshehtësia e rezistencës ndaj varfërisë.

Nuk jetojnë për të ngrënë.

Hanë për të jetuar.

…

Por megjithatë,

lumturia mbetet veç një premtim letrar dhe fetar për shpirtin.

Trupi kërkon ilaç.

Prandaj,

Kosova ka më së shumti barnatore në Evropë.

…

P.S.

Kimete Berisha feat Edgar Allan Poe:

Siç e do shoqëria,

flakë le të kallet shtëpia –

Korb i biri i korbit.

Në daç me…

Në daç pa…

La la la.

…

AUTOKRITIKË:

Urime ty,

që sapo e mbylle njërën kredi –

për të hyrë në tjetrën.

Të ngjashme