Shqiptarët vijojnë të kursejnë një pjesë të mirë të parave, jashtë bankave. Një studim i Bankës Botërore për menaxhimin e financave personale në 10 vende të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, tregon se 47% e popullsisë është e prirur t’i mbajë kursimet jashtë institucioneve zyrtare të licencuara, si bankat, institucionet financiare, fondet e investimit dhe fondet e pensioneve
Kjo prirje, arsyetohet me kulturën e dobët financiare. Në vende të tilla si Hungaria, kultura financiare karakterizon mbi rreth 70% të popullsisë së rritur, ndërsa Shqipëria qëndron ne ekstremin tjetër, pasi vetëm 14 % e popullsisë ka njohuri financiare.
Në Evropën Qendrore, përqindja e individëve që preferojnë të ruajnë kursimet në in-formalitet është rreth 25%, përveç Çekisë që e ka këtë tregues shumë të lartë, mbi 60%.
Ekspertët e Bankës Botërore shpjegojnë se përqindja e lartë e kursimeve in-formale mund të nënkuptojë se aksesi i qytetarëve në Banka është i ulët.
Por, në Shqipëri dhe Maqedoni, ky arsyetim nuk qëndron pasi në këto vende, numri i qytetarëve që kanë llogari në banka është i lartë, por gjithashtu numri i atyre që duan t’i menaxhojnë kursimet në in-formalitet është i lartë.