Gjatë vizitës në Serbi, Edi Rama nuk e ka përmendur fare të ketë diskutuar për zhbllokimin e linjës 400 KW, e cila është ndërtuar mes Kosovës e Serbisë. Shteti i Vuçicit e ka bllokuar këtë linjë për Kosovën dhe Shqipërinë.
S’lejon tregtinë për rrymën e shqiptarëve me vendet e rajonit.
Më 28 qershor të këtij viti, Edi Rama bashkë me Isa Mustafën patën përuruar një projekt energjetik, i njohur ndryshe, si linja 400 kilovoltëshe, e cila shërben për shkëmbimin e energjisë elektrike mes vendeve.
Mirëpo, shitjen e energjisë përmes kësaj linje përmes Serbisë e ka bllokuar Kryeministri serb, Aleksander Vuçic.
Në takimin e fundit, Rama s’ka përmendur asnjë fjalë për këtë bllokadë që Serbia po i bën Kosovës dhe Shqipërisë.
Kur ishte përuruar kjo projekt i dy shteteve shqiptare, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte thënë se projekti duhet të zgjerohet edhe te vendet tjera të Evropës Juglindore.
“Është kjo një vepër e madhe e një tregu të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, të një tregu, i cili do të zgjerohet më tutje edhe në vende tjera në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë në tërësi”, kishte thënë Mustafa.
“Projektet si ky hapin shtigje të reja të integrimit në rajon, dhe të integrimit Evropian, sepse kjo krijon kushte të mira tregtare për shkëmbim të energjisë dhe për rrjetin transit të energjisë elektrike”, kishte shtruar Mustafa.