Fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nxori edhe një herë në sipërfaqe dilemën mbi karakterin dhe strukturën e saj organizative.
Në këtë rast, avokati i ish-presidentit Thaci, por jo vetëm ai, gjatë fjalës mbrojtëse pohoi se klienti i tij, nuk kishte përgjegjësi në terren dhe se UÇK-në e përfaqësonte Adem Demaçi. Kjo deklaratë është pjesërisht e vërtetë. Sepse, kur ky i fundit kur doli kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujes, kurse i pari e dha pëlqimin e tij për këtë dokument, atëherë u pa se roli Hashim Thacit ishte shumë më i madh më përfaqësimin politik të UÇK-së, se sa i të dytit.
Natyrisht, Hashim Thaçi deri në fund kishte tentuar ta fitonte edhe miratimin Adem Demacit për këtë marrëveshje, sepse nuk mund ta paramendonte në asnjë rrethanë veten, që do të mund të dilte kundër ikonës së tij kombëtare dhe historike.
Kurse sa i përket pohimit se ai nuk kishte përgjegjësi në terren, ky fakt nuk bënë të merret as si turp, as si dobësi, por si shkathtësi se si Hashim Thaci me shokë ia dolën që në ato rrethana tejet delikate historike, kur ishte në sprovë ekzistenca kombëtare e shqiptareve, ta menaxhojnë një strukture të tillë. Ka qene e ditur prej kohësh se UÇK-ja nuk ishte “ushtri”, e cila mund të shpjegohet sipas kategorive të sociologjisë militare, me disiplinë dhe përgjegjësi të plotë komanduese dhe hierarkike. Mirëpo, kjo e vërtetë shpeshherë është tentuar të maskohet nga lufta e brendshme për pushtet.
Për më tepër, duke marr parasysh rrethanat në të cilat u lind dhe mori hov kjo lëvizje ishte edhe e pamundur të ndërtohej një formacion ushtarak sipas parametrave të njohur se si funksionojnë ushtritë normale të shteteve.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ajo nuk kishte koncept të përbashkët politik, apo ishte kaotike dhe motivuar vetëm nga pasione donkishoteske. Përkundrazi, të gjithë ata që morën guximin të bëhen pjesë e saj, i bashkonte një ideal, një qëllim dhe një synim. Pra ishte flakërima e lirisë që i bëri bashkë. Sepse, në atë kohë liria dhe lufta u bënë sinonime. Të shpresoje se e para mund të arrihej pa të dytën, nuk ishte asgjë tjetër, vetëm se të jetoje në iluzione që do ta pamundësonin lirinë e gjallë dhe reale. Dhe në këtë rast shumë kush e zgjodhi pritjen. Rrethanat fatlume. Kurse pjesëtarët e UÇK-së zgjodhën aksionin për të bërë lirinë e reale. Dhe ia dolën. Prandaj, edhe shumë analistë ndërkombëtarë, e quajtën UÇK si lëvizjen më të suksesshme guerile të shekullit 20.
Mirëpo, në vend të shpjegimit të saj, siç thash sipas kategorive të sociologjisë militare, kjo strukturë, për të cilën kam shkruar edhe kohë më parë, në shumëçka e kishte hijeshinë “artistike” të botës homerike. Pjesëtarët e saj nuk ishin ushtarë, por heronj dhe luftëtarë. Dhe është në natyrën e këtyre të fundit siç ka pohuar Hegeli, që nuk njohin rregulla. Nuk pranojnë urdhra. Autoritet suprem për ta është vetëm vullneti i tyre i pastër. Në këtë mënyrë ata që u bënë pjesë e UÇK-së e jetonin lirinë e plotë. Ata nuk kishin struktura legale që ndërmjetësonte botën e tyre “idilike” Vetëm vdekja mund t’ua kufizonte këtë vullnet. Askush tjetër. Ligji i tyre ishte vetvetja.
E, kjo kategori kanë edhe trille edhe shpërthime, por është pikërisht ky vullnet për t’u çliruar nga frika prej vdekjes mbi të cilën themelohen rende dhe shtete. Dhe shteti i Kosovës, deshëm apo nuk deshëm, ta pranojmë është rezultat i tyre. Mirëpo, pasi themelohet shteti, vazhdon Hegeli, atëherë më nuk mund të ketë vend për heronjtë, (Once the state has been founded, there can no longer be any heroes). Pra, tash është shteti dhe institucionet publike ato që e materializojnë vullnetin e shoqërisë. Është ky entitet “abstrakt” që e zë vendin e tyre, e për të cilin ata janë më meritoret që u krijua.
Por, mënyra se si ndodh ky transformim i heronjve në qytetarë “borgjez”, të dhënë në rrethanat e reja pas interesave ekonomike është një çështje që kërkon një trajtim tjetër.