Pse veç 2 milionë euro?

Prishtinë | 27 Maj 2026 | 12:53 | Nga Kimete Berisha

Kjo është pak fyese.

Në këtë ekonomi,

2 milionë euro

nuk i mbulojnë

as emocionet.

Ku janë:

– sanduiçat në aeroport,

– uji falas,

– “Mirësevini” me tupana,

– nga një selfie me ministrin te terminali,

– dhe nga një paketë

për mallëngjim kombëtar?

Subvencioni emocional për diasporën –

mirë…

Biletat mirë –

(t’u rritë nderi) –

por nuk e mbulojnë

dhimbjen shpirtërore

të mërgimtarit,

që gjithmonë përjeton

krizë identitare

te kontrolla kufitare.

Po.

A mund të bëni diçka më shumë

përveç atyre 2 milionë eurove?

Së paku:

nga një kafe falas

me flamur të vogël anash.

Dhe, çehre.

Ju lutem.

EPILOG

Ka ardhur koha

që edhe mërgata

t’ia dijë lezetin atdheut.

Boll më:

me një këmbë në mërgim

e një dorë në kutinë e votimit.

Por.

Pse zgjedhjet e ardhshme

të mos mbahen direkt

në aeroport?

Një kuti votimi

te terminali.

Një komision zgjedhor

mes parfumave pa taksë.

Dhe himni kombëtar

te porta e nisjeve.

Zëri i Albin Kurtit

nuk mund të huazohet

tash edhe

për atë vajzën

që i fton udhëtarët:

“Pasagjerë të nderuar…

porta u hap.”

P.S.

Unë që prejardhjen e kam nga Mirdita,

a llogaritem diasporë?

Se e kam një ide…

për Belfast.

AUTOKRITIKË:

Udha e mbarë.

Të ngjashme