Paris Saint-Germaini e ka refuzuar edhe ofertën e fundit të Barcelonës për transferimin e Neymarit gjatë këtij afati kalimtar të verës, këtë herë në formë huazimi për sezonin e ardhshëm.
Të hënën, burimet e ESPN në Barcelonë thanë se katalonasit po e bënin një ofertë për huazimin e Neymarit me opsionin për ta blerë atë verën e ardhshme, mirëpo kjo ofertë nuk është mjaftueshëm e mirë për parisienët.
Paris Saint-Germaini do ta refuzojë edhe formalisht këtë ofertë ose të martën, ose të mërkurën pasi që kjo ofertë nuk i përshtatet klubit të Ligue 1.
Pronarët nga Katari të PSG-së janë të zhgënjyer nga sjellja e Neymarit këtë verë dhe ata janë të gatshëm ta lënë atë të largohet, por vetëm nëse i kthejnë 222 milionë eurot që i shpenzuan për ta sjellë atë nga Barcelonë në Paris gjatë verës së vitit 2017.
Gjithashtu, në Paris besojnë se Barcelona nuk do ketë mundësi ta paguajë shumën e plotë të transferimit të Neymarit verën e ardhshme dhe se ata do të kërkonin që ta bënin këtë pagesë të ndarë në disa pjesë. Kjo metodë nuk është e favorshme për PSG-në.
Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, po tenton të marrë sa më shumë para që të jetë e mundur për Neymarin. Situata komplikohet nga huazimi i Philippe Coutinhos në Bayern, pasi që ai pritej të jetë i përfshirë në ofertën e katalonasve për Neymarin, në një ofertë para plus lojtarë.
Neymari ende e dëshiron largimin nga “Parc des Princes” këtë verë dhe ai do të preferonte të kthehej në Barcelonë, ku kishte luajtur mes viteve 2013-2017.
Burimet e ESPN thonë se superylli brazilian po tenton të qëndrojë pozitiv, por ai e di se një marrëveshje për ta kthyer atë në “Camp Nou” po bëhet gjithmonë e më e vështirë për t’u arritur.
Neymari – i cili po vazhdon të stërvitet i vetëm, larg ekipit të parë të PSG-së – nuk ka luajtur në asnjërën prej dy ndeshjeve hapëse të klubit në Ligue 1 këtë sezon. Leonardo ka bërë të ditur se ai s’do të jetë i përfshirë deri kur situata e tij të qartësohet.