Protesta deri në hapjen e konkurseve për punësimin e psikologëve në shkolla, kanë paralajmëruar të diplomuarit në Degën e Psikologjisë. Thonë se qeverisjet e deritanishme i kanë lënë anash duke mos hapur konkurse për punësimin e tyre në shkolla.
Psikologët kanë paralajmëruar se do të nisin me protesta posa ta marrë mandatin Qeveria e re, shkruan sot Koha Ditore. Të diplomuarit në këtë drejtim patën protestuar edhe dy vjet më parë, pak ditë pasi Qeveria Haradinaj e kishte marrë detyrën.
Kabineti i ministrit në largim, të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, u kishte premtuar se do të merreshin parasysh kërkesat e tyre për hapjen e konkurseve, mirëpo kjo nuk ishte realizuar.
Labinot Dervishaj nga Skënderaj, i diplomuar para 3 vjetësh në Degën e Psikologjisë, thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç të shfaqin pakënaqësinë e tyre në rrugë.
“Do të protestojmë, sepse nuk është duke u zbatuar Ligji për punësimin e psikologëve, ndonëse për këtë vit ka qenë e siguruar edhe linja buxhetore për punësimin e 30 psikologëve dhe 20 pedagogëve. Duhet të hapen konkurse për punësimin e psikologëve, pasi si resurse humane jemi të lënë tej mase jashtë dore nga secila qeveria deri më tani”, ka theksuar ai.
Sipas Dervishajt, shkollat e Kosovës po përballen me mungesë të psikologëve për faj të Qeverive të cilat nuk e kanë pasur prioritet angazhimin e tyre në shkolla.