Lidhur me rastin e publikimit të fotografisë së nxënësve në Facebook nga mësimdhënësja, ka reaguar edhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila konsideron se publikimi i të dhënave (fotografike), pa pëlqimin paraprak të subjektit të fotografuar, përbën shkelje të privatësisë së individid dhe si e tillë është i dënueshëm me ligj.
Kjo agjenci ka bërë të ditur se në rastet kur pretendohet se e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale është shkelur, qytetarët mund të paraqesin ankesë në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ky është reagimi i plotë i Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale:
Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me publikimin e një fotografie në mediumin social ‘Facebook’, ku shihen dhjetë (10) nxënës të rreshtuar para tabelës së zezë në mësojtoren e tyre, e që besohet se publikimi është bërë nga mësuesja e këtyre nxënësve (subjekte të të dhënave personale), duke e përdorur publikimin e fotografisë si mekanizëm ndëshkimi për mosbindje ndaj detyrës së dhënë apo për mungesë të higjienës personale, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si autoriteti i vetëm i mandatuar për mbikëqyrjen e përpunimit të të dhënave personale, konstaton se publikimi i të dhënave (fotografike), pa pëlqimin paraprak të subjektit (personit/ave) të fotografuar, përbën shkelje të privatësisë së individid dhe si e tillë është i dënueshëm me ligj.
Duke marrë shkas nga rasti i djeshëm i publikimit të fotografisë së nxënësve, me qëllime denigruese, i cili është bërë brenda një grupi të mbyllur anëtarësh në ‘Facebook’, Agjencia këshillon mësimdhënësit, të cilët, në cilësinë e administruesit të grupeve të këtilla, aplikojnë komunikimin me prindër përmes grupeve të mbyllura në kuadër të ‘Facebook’-ut apo të ndonjë mediumi tjetër social, që t’i shfrytëzojnë këto hapësira të komunikimit në grup për njoftime, shpallje, etj.
Për të publikuar fotografi apo video në grup (në rastet ku subjekte të të dhënave fotografike apo filmike janë nxënësit e mitur), gjithësesi duhet marrë pëlqimi i prindërve paraprakisht. Veç kësaj, mësimdhënësit udhëzohen që komunikimin e karakterit individual të suksesit të nxënësve, vërejtjet rreth diciplinës etj., t’ua përcjellin prindërve në forma individuale, qoftë edhe përmes mediumeve sociale, por në asnjë mënyrë brenda grupit, që mund ta cenojë dinjitetin e individit.
Për të përmbushur misionin e bartjes së njohurive te nxënësit, mësimdhënësit duhen gjetur forma dhe metoda të përshtatshme, sipas kritereve të metodikës së mësimdhënies, të aplikueshme në Republikën e Kosovës, ndërsa mediumet sociale, për qëllime arsimore, t’i aplikojnë në masë të kufizuar dhe shumë të kujdesshme.
Në rastet kur pretendohet se e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale është shkelur, qytetarët mund të paraqesin ankesë në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.