Pandemia COVID-19 deri më sot në vendin tonë ua ka marrë jetën 144 personave, shumica nga të cilët, sipas institucioneve shëndetësore, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Duke dashur që opinioni të jetë i njoftuar në detaje me situatën pandemike, zyrtarë shtetërorë vazhdimisht kanë njoftuar për viktimat nga COVID-19, ku bashkë me njoftimin ata kanë publikuar edhe identitetin e plotë të viktimave e në raste të shpeshta edhe fotografitë e tyre.
Edhe institucionet shëndetësore para pak kohësh paralajmëruan se kanë në plan të lejojnë edhe publikimin e identitetit të personave të infektuar me Coronavirus, por kjo ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
AIP-i ka këshilluar personelin shëndetësor që të dhënat personale të pacientëve të prekur me COVID-19 t’i ndajë vetëm me institucionet shëndetësore dhe jo me palë të treta.
Kjo agjenci, në një përgjigje për “Zeri.info”, sa i përket publikimit të identitetit të viktimave nga COVID-19 nga ana e zyrtarëve publikë, ka thënë se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk aplikohet për personat e vdekur dhe kjo në njëfarë forme i lejon ata që të bëjnë këtë.
“Lidhur me publikimin e të dhënave të viktimave nga COVID-19, bëhet fjalë për personat e vdekur, ku Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk aplikohet për personat e vdekur, andaj edhe detyrimet që dalin nga ky ligj nuk mund të aplikohen në këtë rast”, ka thënë për “Zërin” Agjencia për Informim dhe Privatësi e që sipas saj ky ligj është në harmoni me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2016/679 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në anën tjetër, nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë thënë se shkëmbimi i informacioneve të pacientëve ndërmjet institucioneve lejohet sipas ligjit vetëm në mbështetje të përpjekjeve për trajtimin e gjendjes së krijuar nga virusi COVID-19, ndërsa publikimi i identitetit të viktimave pa pëlqimin e familjarëve përbën shkelje ligjore.
“Shkëmbimi i informacioneve ndërmjet institucioneve që bashkëveprojnë në mbështetje të përpjekjeve për trajtimin e gjendjes së krijuar nga ky virus është i domosdoshëm. Gjithsesi, ky shkëmbim duhet të bëhet në përputhje të plotë me dispozitat e LMDHP-së, pasi publikimi i të dhënave të ndjeshme shëndetësore përbën ndërhyrje në privatësinë e individëve dhe shkelje ligjore. Megjithatë, publikimi nga vetë individët është çështje e vullnetit të tyre. Publikimi i emrave të personave që kanë humbur jetën si pasojë e virusit COVID-19, pa pëlqimin e familjarëve, paraqet ndërhyrje në jetën private”, kanë thënë nga Avokati i Popullit.
Në anën tjetër, janë disa zyrtarë, kryesisht komunalë, si kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari dhe nënkryetari, njëherësh kryetari në detyrë i Podujevës Nexhmi Rudari, që e kanë praktikuar pothuajse në vazhdimësi publikimin e identitetit të viktimave nga COVID-19.