Një listë gjithëpërfshirëse që përmban mbi 1,7 milionë artikuj të pajisjeve dhe furnizimeve të përdorura ose të kërkuara nga forcat e armatosura polake është publikuar në internet në faqen Onet.pl. Sipas raportit të Onet.pl, informacioni mund të jetë jashtëzakonisht i vlefshëm për shërbimet e huaja sekrete.
“Burimi ynë, një specialist në sigurinë kibernetike, tha se baza e të dhënave ishte shkarkuar nga përdorues nga më shumë se 10 vende, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën. Ne kemi konfirmuar rrjedhjen në dy burime të pavarura të lidhura me forcat speciale. Të dhënat e rrjedhura përfshijnë informacion mbi pajisjet e blera nga Polonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe Izrael”, shkroi faqja ueb.
Onet.pl shkroi se rrjedhja ka të ngjarë të ketë origjinën nga njësia e planifikimit të logjistikës së ushtrisë në Bydgoszcz, në Poloninë Veriore.
Për këtë ngjarje ka reaguar grupimi kryesor opozitar i Polonisë, Koalicioni Qytetar i qendrës (KO), i cili ka kërkuar që ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak të japë dorëheqjen.
KO gjithashtu ka thënë se qeveria duhet të japë një sqarim të detajuar për publikun se si ka ndodhur rrjedhja dhe kush ka qenë përgjegjës.
Nga ana e saj ministria polake e Mbrojtjes Kombëtare deklaroi se “rasti është duke u analizuar në detaje nga shërbimet tona”. Ministria tha gjithashtu se po heton “nëse kishte një rrjedhje dhe nëse dosja e zbuluar ishte prodhuar në fakt nga forcat e armatosura të Polonisë”.
Në një reagim më rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes polake tha se nuk ka dalë asnjë informacion sekret.
“Unë rekomandoj që politikanët e opozitës të kthjellohen dhe të pinë një gotë me ujë të ftohtë”, deklaroi ai.
Për ministrinë e mbrojtjes “publikimi i të dhënave nuk përbën kërcënim për sigurinë e shtetit apo funksionimin e Forcave të Armatosura Polake”.