Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka promovuar librin “Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga forca policore dhe ushtarake të Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999”, të autorit Salih Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Ismet Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe recensent i librit tha se Salih Krasniqi si mjek në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ka punuar deri në fillim të bombardimeve nga forcat serbe, nën trysnin dhe kërcënimin e policisë madje edhe të kolegëve serb.
Sipas tij, flet për krimet e forcave serbe ndaj popullatës së pafajshme të popullit të Kosovës e cila aspiroj vullnetin dhe dëshirën që të çlirohet.
“Në këtë libër shkruhet për të kaluarën e afërt të popullit të Kosovës, për krimet e forcave serbe ndaj popullatës së pafajshme të popullit të Kosovës e cila aspiroj vullnetin dhe dëshirën që të çlirohet nga okupimi një shekullor nga Serbia. Kjo aspiratë e popullit shqiptar të Kosovës u manifestua edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dr.Salih Krasniqi si mjek ka punuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë deri në fillim të bombardimeve nga forcat serbe, nën trysnin dhe kërcënimin e policisë serbe madje edhe të kolegëve serb”, tha ai.
Ambasadori i Shqipërisë Qemajl Minxhozi tha se libri trajton një histori me fakte, shembull ky që do të duhej të ndiqej edhe nga historianët.
“Siç jeni në dijeni dje në Kukës është bërë një amshim për të kujtuar gjenocidin e vitit 99 ku ishin të pranishëm mijëra njerëz nga gjithë Kosova, dhe aty historitë ishin të pafundme për të treguar për përpjekjet e Millosheviqit për të depërtuar një popull. Është rasti i parë në histori ku t’i do të heqësh nga trojet një popull qe kërkon të drejta dhe pavarësi. Libri i Krasniqit ka një veçori shumë të madhe që unë e vlerësoj jashtë mase, është se kemi të bëjmë me një personalitet që është i dyzuar, është humanist dhe historian”.
“Asnjëherë doktori nuk harroi të marr shënime për ta bërë efektive dhe më të bindshme terrorin serb në Kosovë. Është një shembull i madh edhe për historianët që të mos ecin vetëm me gojëdhëna, por edhe me fakte për të treguar se çka ka ndodhur në Kosovë”, tha ai.
Autori i librit, Salih Krasniqi tha se përmes librit ka dashur të nxjerr në pah presionin që u është bërë pacientëve dhe personelit nga forcat serbe, raporton EO.
“Librin kam filluar me mbledhë shënime por jo me qëllim me shkruar një libër të tillë sepse nuk kam besuar se do të dal një libër i tillë, as nuk kam pas qef me dal një libër i tillë ku fol për vuajtjet, gjenocidin serb që ka ushtruar ndaj pacientëve shqiptar”.
“Libri daton që nga qershori i vitit 1999 dhe menjëherë pas futjes së trupave të NATO-s në Kosovë kur edhe fillova të shkruaj rreshtat e parë, kjo kohë përkon me 20 qershor të këtij viti kur personeli mjekësor pas çlirimit të Kosovës u kthyem në klinikat e mjekësisë dhe me gjetjen e dokumentacionit me të sëmurët dhe të plagosurit qe ishin trajtuar në klinik”.
“Ky është libri i parë fakt mbledhës që dëshmon për veprimet barbare të pushtetit serb ndaj pacientëve dhe personelit të QKUK-së. Është libër faktogragik përmes të cilit kam dashur të pasqyroj masat e të gjitha formave të dhunës dhe presionit të ushtruar nga pushteti serb”, tha ai.