Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Organizatën Demokraci Plus (D+), ka bërë lansimin e punimit “Votimi nga jashtë vendit: Shqyrtimi i politikave dhe rekomandime praktike”, i cili ka për qëllim që të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në proceset zgjedhore në Kosovë përmes shqyrtimit të praktikave të votimit jashtë vendit në shtetet e tjera, studimit të barrierave të diasporës për të votuar dhe vendosjes së politikave efektive për të lehtësuar votimin nga jashtë.
Rezarta Delibashzade, menaxhere e programit në Demokraci për Zhvillim (D4D), gjatë prezantimit të punimit theksoi se ndër rekomandimet kyçe të këtij raporti është që diasporës t’i mundesohet që aplikacionet fizike dhe votimi të bëhet edhe përmes dorëzimit të postës në ambasada apo konsulata të Kosovës jashtë vendit. Në këtë rast, shërbimi diplomatik do të shërbente si pikë grumbulluese për aplikacione dhe vota të cilat në mënyrë të grumbulluar pastaj do të dorëzoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Për pjesëtarët e diasporës kjo metodë lehtëson procesin e votimit”, tha ajo.
Valmir Ismaili, drejtor ekzekutiv në Demokraci Plus (D+), theksoj se problemi me sistemin e votimit nga jashtë është për të gjithë shtetasit kosovarët që jetojnë në diasporë, këtu duke përfshirë shqiptarët por edhe komunitetet tjera. Kjo më së miri është vërejt gjatë zgjedhjeve të fundit, në komunën e Istogut kur kemi hasur në shumë parregullsi me fletëvotimet nga diaspora në garën për kryetarë komune. Ai theksoi se është e nevojshme reforma e sistemit të votimit nga jashtë në mënyrë që të shmangen problemet e tilla në të ardhmen dhe të kemi zgjedhje më demokratike dhe të drejta.
Ajo çka vazhdon zëshëm të rekomandohet nga të gjitha palët është që Kosova duhet të vazhdojë të lejojë votimin jashtë vendit në zgjedhjet në nivel kombëtar, por që duhet ta konsideroj heqjen e votimit jashtë vendit për zgjedhjet lokale apo ky votim të lejohet vetëm për shërbyesit civil që në momentin e zgjedhjeve gjende jashtë vendit.
Rekomandimet në punim janë të ndara: me kornizën ligjore aktuale, dhe me reformë zgjedhore. Rekomandimet me kornizën ligjore aktuale janë: Zhvillimi i modulit elektronik (ueb-based) për aplikim: (1) thjeshtëson aplikimin; (2) mënjanon gabimet në futje të dhënave; (3) mënjanon mbingarkesën e e-mailit; Thjeshtësimi i formularit: të kërkohen vetëm emri, mbiemri, numri personal, adresa e vendbanimit jashtë, kontakti dhe nënshkrimi; Kod identifikues për shtetasit jashtë: në regjistrin civil të ketë kod identifikues për votuesit nga jashtë (ID jashtë, paraqitja e vendbanimit); Të vazhdoj dërgimi i zarfeve në mënyrë të grumbulluar: Një familje një zarf për të ulur koston. Ekstra verifikim: faturë, certificate; Ngritja e cilësisë së informimi
Ndërsa rekomandimet me reformë zgjedhore janë: Dërgimi i aplikacioneve/votave me postë në amabasada/konsulata: Posta arrinë më shpejtë/sigurtë, barra e kostos për shtetin; Votim vetëm me dokumente të RKS: Vetëm ata që kanë dokumente të lëshuara nga RKS të lejohen të votojnë; Zgjatja e afatit për pranim të fletëvotimit: Nëse sistemi zgjedhor i njëjtë, dhe procedurat e numërimit të njëjta, mund të zgjatet afati për pranimin e fletëvotimit deri 5-7 ditë pas ditës së zgjedhjeve; Votim fizik në ambasada dhe konsulata: Sipas IDEA votimi fizik praktikohet nga 50 shtete të botës. Çështjet e integritetit, organizimit, kostos janë me rëndësi, por të filloj me pilot projekt.
Sipas të gjeturave të publikimit “Votimi nga jashtë vendit: Shqyrtimi i politikave dhe rekomandime praktike”, përfaqësimi i diasporës përmes ulëseve të rezervuara nuk është një praktikë që Kosova mund ta ndjekë në periudhë afatshkurtër sepse kjo do të kërkonte ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të zgjedhjeve, dhe kjo vështirë se do të mund të kalonte në Kuvendin e Kosovës në këtë periudhë.
Rekomandohet po ashtu që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vazhdojë të jetë institucioni përgjegjës për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe procesimin e aplikacioneve të tyre për të votuar; votuesit jashtë vendit duhet të vazhdojnë që të kenë mundësi të ndryshme për aplikim, me postë, me faks apo me e-mail. KQZ gjithashtu duhet të shqyrtojë zhvillimin e një platforme elektronike për regjistrim më të lehtë dhe të shpejtë të votuesve, e cila pastaj mund të shpërndahet edhe nga institucionet e tjera siç janë Ministria e Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme.