Christian Pulisic ka shkëlqyer në fitoren e Borussia Dortmundit ndaj Liverpoolit në turneun parasezonal International Champions Cup në Shtetet e Bashkuara të dielën.
Dortmundi e mposhti me përmbysje 3-1 Liverpoolin duke e siguruar fitoren e dytë në këtë turne dhe gjashtë pikë të plota pas dy ndeshjeve, raporton Gazeta Express.
Skuadra e Jurgen Klopp e nisi mirë takimin duke kaluar në epërsi përmes mbrojtësit Virgil van Dijk, i cili realizoi me kokë në minutën e 25-të, me çka u mbyll edhe pjesa e parë.
Reagimi i gjermanëve erdhi kur akrepat kishin kaluar një orë të plotë, me Christian Pulisic që realizoi penalltinë e fituar vetë.
19-vjeçari i talentuar amerikan doli në skenë edhe një herë në minutën e fundit, duke e përmbysur Liverpoolin.
Ai u përfshi edhe në golin e tretë të cilin e shënoi Larsen në minutën e tretë të kohës shtesë.
Dortmund tani prin me 6 pikë në International Champions Cup, tri më shumë se Bayern Munich në vendin e dytë, por me një ndeshje më pak të luajtur.