Koleksionit të pullave postare të Kosovës nga sot iu shtua edhe një pullë e re. Kjo pullë e re postare është krijuar në kuadër të Javës së Gjidhënies për të promovuar ushqimin e fëmijëve me gji, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Shëndetësisë dhe Posta e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF-in kanë bërë lansimin e pullës postare për të promovuar të ushqyerit me qumësht të gjirit me moton “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”.
Sejdi Hoxha, kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës tha se ndjehet i nderuar që Posta është pjesë e qëllimit të nxitjes së gjidhënies.
“Nga sot kjo pullë postare do të udhëtoj edhe jashtë vendit kudo që dërgohen dërgesat tona. Përmes kësaj fushata juaj do të shtrihet në gjithë botën dhe kjo është një gjë e mirë”.
Ndërsa Naim Bardiqi, nga Ministria e Shëndetësisë, (MSh) tha se promovimi i gjidhënies është shumë me rëndësi për shkak se qumështi i gjirit ndikon në zvogëlimin e vdekjeve të fëmijëve.
Zëvendës shefi i zyrës së UNICEF, James Mugaju, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që e kanë mbështetur këtë ngjarje duke thënë se ushqimi me qumësht të gjirit është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e nënës dhe fëmijës , raporton EO.
“Ne në UNICEF besojmë që mënyra më e mirë në përkrahjen e një vendi është në fëmijët e atij vendi. Dua të përmend mrekullinë e të ushqyerit me gji. Ushqimi me gji ka përfitime afatgjata si për fëmijë ashtu edhe për nënat. Foshnjat që ushqehen me gji së paku për gjashtë muajt e parë kanë një rritje shumë më optimale. Ushqimi me gji i bën më të mençur dhe me të shëndetshëm dhe qenie më të mira njerëzore. Lindja e foshnjës nga nëna dhe gjidhënia është epiqendra e fuqisë së nënës”, tha Mugaju.
Ideatore e pullës postare dhe autore e dizajnit të zarfit të ditës së parë është zyrtarja e Filatelisë së Postës së Kosovës, Fitesa Asllani – Ibrahimi, ndërkaq autore e dizajnit të pullës është Njomza Kadriu.
Java e gjidhënies është hapur ditë më parë me një ekspozitë të fotografive nga Arben Llapashtica.