Kur i shikoni shkaktarët e divorcit, do të shihni se janë shumë, por, sipas një hulumtimi të ri nga Harvardi, thuhet se divorci varet edhe nga ajo se a ka partneri punë me orar të plotë apo jo.
Sipas një studimi të publikuar në American Sociological Review, me të dhënat e mbledhura nga 6,300 çifte të martuara e të intervistuara mes viteve 1968 dhe 2013, çiftet ishin ballafaquar me një rrezik prej 32 për qind më të lartë të divorcit nëse burri kishte qenë i papunësuar krahas martesave ku burri kishte pasur punë me orar të plotë dhe kishte kontribuar në financat e familjes.
Sa i përket asaj se çka ndikon më shumë në mundësitë e divorcit – kontributet brenda apo jashtë shtëpisë – divorci gjithashtu varet edhe nga përvjetori. Çiftet e martuara para vitit 1975 kanë përjetuar më shumë probleme kur gratë kishin bërë më pak punë të shtëpisë, përderisa çiftet e martuara pas vitit 1975 kishin ndjerë më shumë tension kur burrat kishin qenë të papunësuar.
“Mund të spekuloj se humbja e punës mund të sjell një fazë të depresionit apo probleme tjera të shëndetit mendor”, tregon Alexandra Killewald, autorja e këtij studimi dhe profesoreshë e sociologjisë në Harvard. Me fjalë të tjera, ndjenja e identitetit të një mashkulli dhe vlera mund të jenë të lidhura për punën, gjë që mund të ketë ndikim afatgjatë në shëndetin e martesës.
Çfarë do të thotë kjo për baballarët që rrinë në shtëpi? Nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të thënë diçka saktësisht, por Killewald sugjeron që ky lloj i rrethanave është zakonisht i para-planifikuar, prandaj përjashtohet nga pasojat e njëjta.