Punëtorët e aeroportit në protestë për kushte më të mira të punës

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të protestojnë për kushte më të mira të punës.

Për protestën e paralajmëruar të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës ka njoftuar edhe Autoriteti i Aviacionit Civil duke thënë se kjo protestë nuk do të ketë ndikim në operimet normale te aeroportit, njofton Klan Kosova.

Protesta do të mbahet ora 08:00 deri në orën 09:00 para terminalit të udhëtarëve në ANP “Adem Jashari”.

“E drejta në grevë është e garantuar me Kushtetutë dhe akte juridike ndërkombëtare të cilat zbatohen në vendin tonë, por paraprakisht duhet të ezaurohen mundësitë që ofron dialogu social”, thuhet në komunikatën e AAC-së.

“Prandaj, AAC i bën thirrje Sindikatës së Punëtorëve dhe organit menaxhues të ANP “Adem Jashari”, kompanisë LKIA sh.a. të zhvillojnë dialog social dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy palët brenda kornizës ligjore, në mënyrë që të parandalojnë pengimin e operimeve të aeroportit”.

Kërkesat e punëtorëve janë kompensimi dhe benefitet të tjera të rrezikshmërisë, pushimi vjetor, përvoja e punës për detyra dhe punë në shërbimet që janë të ekspozuara direkt me dëmtimin e shëndetit të punëtorëve. Po ashtu të eliminohen dallimet në paga në rastet ku punëtorët kanë detyra dhe përshkrim të njëjtë të punës, orë të njëjta të punës duke ngritur pagat në nivel të barabartë. Të paguhet përvoja e punës 0.5 për qind, orët e punës gjatë vikendeve të kompensohen dhe të kenë shujta.

Të ngjashme