Korporata HIB Petrol në bashkëpunim me Qendrën e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, ka organizuar dhurimin e gjakut nga punëtorët dhe menaxhmenti i korporatës, si përgjigje ndaj fushatës vetëdijesuese për dhurimin vullnetar të gjakut, që do të shërbejë për trajtimin e rasteve në nevojë në Qendrat Emergjente Spitalore, raporton Ekonomia Online.
Fosina Islami nga kompania HIB Petrol, ka thënë se kjo kampanjë vitin e kaluar ka qenë e suksesshme, gjë që i ka shtyer që kjo kampanjë të vazhdoj edhe këtë vit.
“Është viti i dytë radhazi që korporata HIB Petrol në bashkëpunim me transfuzionin e gjakut e kanë organizuar kampanjën për dhurim të gjakut. Kjo kampanjë vitin e kaluar ka qenë shumë e suksesshme, gjë që na ka shty me e bë edhe këtë vit, përndryshe është përkitazi me objektivat e korporatës HIB Petrol që janë përgjegjësi sociale dhe integritet andaj përmes kampanjave të tilla mundohemi me tregu që jemi sa më afër njerëzve dhe të jemi sa më human”, tha ajo për Ekonomia Online.
Feim Kajtazi, punëtor në HIB Petrol, tha se dhurimin e gjakut e sheh si obligim moral dhe qytetarë për shpëtimin e një jete.
“Unë punoj në HIB Petrol qe 16 vjet, kështu që e kam ndi si obligim moral dhe qytetarë me dhanë gjak me shpëtu një jetë, më mirë është me shpëtu një jetë sesa me lind një jetë, kshtu që e kam pas si obligim dhe është mirë që këtë rrugë me ndjek të gjithë qytetarët e Kosovës, e kemi obligim shtetëror”, tha ai.
Dhurimi i gjakut është pjesë e aktiviteteve të shumta të përgjegjësisë sociale të cilat Korporata HIB është duke i ndërmarrë përgjatë viteve, në mbështetje të qytetarëve, institucioneve dhe organizatave me karakter publik në vendin tonë.