Punëtorët e KEDS-it të martën protestojnë përsëri, shpresojnë në zbatimin e kërkesave të tyre

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 08:27 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Këshillit Grevist të Punëtorëve të KEDS-it, Fehmi Pajaziti, ka folur për Ekonomia Online rreth grevës që pritet të mbahet të martën, me qëllim zbatimin e kërkesave të punëtorëve të paraqitura edhe më herët – rritja e pagave dhe zbatimi i kontratës kolektive – shkak i të cilave janë zhvilluar shtatë greva.

Ai ka thënë se greva do të fillojë në orën 8:30 për të përfunduar në 16:30.

“Ajo protestë ose grevë do të mbahet fillimisht te KEDS-i, kur të gjitha distriktet në orën 11:00 do t’i bashkohen protestës, protestuesve ose grevistëve në Prishtinë dhe do të qëndrojnë deri në 13:30 dhe do të vijnë prej aty, do të defilojnë dhe do të vijnë deri para Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve tona, t’u jepet një mesazh, të kenë parasysh, sepse edhe sektori privat është pjesë e Kosovës dhe është pjesë e buxhetit të cilën e menaxhon Qeveria dhe pushteti në këtë rast”, ka thënë Pajaziti për Ekonomia Online.

Pajaziti ka pohuar se kanë qenë në Kuvendin e Kosovës të premten, ku kanë marrë pjesë në mbledhje të Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe kanë diskutuar mbi çështjen e buxhetit, i cili do t’i përcjellë edhe financat e punëtorëve për pesë vitet e ardhshme.

“Tash është çështja e buxhetit të Kosovës, lejimi i marrë në këtë rast, që lejon ZRrE-ja për 5 vitet e ardhshme, është në diskutim. Dje kanë përfundu, deri dje ka qenë afati i fundit për rekomandime, këshilla dhe propozime, të çohen në ZRrE dhe dje është mbyllë. Tash është një afat kohor i cili vendos, ose merr dhe ia lejon të hyrat e lejuara për 5 vitet e ardhshme, çka do të thotë fati i punëtorëve të KEDS-it, tash në këtë muaj, varet prej vendimit të cilin do ta marrë ZRrE-ja, janë 5 vitet e ardhshme”.

Pajaziti ka thënë se nuk kanë asgjë personale me askë, veçse duan plotësim të kërkesave dhe, sipas tij, ky është momenti për bashkëpunim dhe arritje të rezultateve.

“Prandaj është koha, është momenti që të gjitha organet relevante tona, duke filluar prej Kuvendit, deputetët tanë, Qeveria, ZRrE-ja dhe menaxhmenti dhe punëtorët bashkarisht të gjejnë një gjuhë, një formulë, sepse jemi kompani private, por punojmë për publikun dhe i shërbejmëpublikut. Kështu që po besoj dhe kemi shpresa që kërkesat tona do të implementohen dhe do të realizohen”.

Ai iu është drejtuar të gjithë punëtorëveme porosinë që të mos kenë frikë nga askush, sepse i mbron ligji.

“Ai (Menaxhmenti i KEDS-it) në çdo formë mundohet me pengu, por kur jemi në suaza ligjore, ata mundohen të respektojnë ligjet. Ligji është për të gjithë. Përderisa është një ligj i punës, një ligj për organizimin mbi grevat, një ligj sindikal, atëherë absolut, mundet me thënë çkado, nuk ka rrezik dhe nuk tutem absolut fare, se ne nuk po duam të dëmtojmë askë, por po luftojmë për të drejtat tona, të punëtorëve, pa e dëmtu dikë”.

Pajaziti ka apeluar te të gjitha institucionet duke thënë se edhe ata janë pjesë e shtetit dhe duan rritje të pagave, pasi, sipas tij, për këtë veprim ka mjete të mjaftueshme, me theks të veçantë që ky veprim të ndërmerret pa i rritur tarifat e energjisë te qyetarët.

“Sepse ajo çka e kërkojmë ne, nuk është që nuk është e realizueshme, e zbatueshme. Me një angazhim shumë të vogël, por shumë të saktë dhe të përpiktë, 2200 familje përfitojnë”.

“Nuk është që kemi dashtë të bëhemi miliardera, por një pagë simbolike me u rritë, një shumë simbolike për çdo punëtor me jetu prej asaj page, sadopak në mënyrë të dinjitetshme për punëtorin”.

Ndërsa, ashtu si edhe më herët kur Sindikata ‘ElektroKosova’ kishte paralajmëruar, edhe Pajaziti tha se në rast të mosplotësimit të kërkesave të punëtorëve, grevat nuk do të ndalen, madje do të shkojnë në të përgjithshme, e deri te një kolaps energjetik.

“Në qoftëse ZRrE-ja dhe institucionet tona relevante, qeveri dhe kuvend, deputetë, nuk respektojnë të hyrat e lejuara të buxhetit dhe nuk ka lëvizje në paga, të garantoj se ne nuk do t’i ndalim grevat, do të hyjmë në grevë të përgjithshme, aty sa e lejon ligji, dhe do të ketë edhe kolaps”.

 

 

Të ngjashme