Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), ka paralajmëruar nisjen e grevës nga 11 maji.
Ahmet Hyseni, kryetar i kësaj federate ka thënë se te vendimi për grevë kanë ardhur pas bisedimeve që kanë pasur me menaxhmentin e kompanisë, të cilat nuk kanë qenë të frytshme.
“Ka një vit që e kemi përmend rritjen e rrogave. Në kohën e COVID-19 nuk kemi dashur të bëjmë presion. Më vonë ishte kriza energjetike dhe na është kërkuar afati deri më 31 mars. Pas takimi të fundit me menaxhmentin na është ofruar rritje rroge prej 30 euro, për çfarë për punëtorët është e papranueshme”, është shprehur Hyseni në Klan Kosova FM.
Hyseni ka njoftuar se në ditën e parë greva do të jetë njëorëshe ndërkaq dita ditës do të shtohet periudha kohore e të mbajturit grevë.
“Në ditën e dytë do të jetë dyorëshe, në të tretën treorëshe, dhe pastaj do t’i thërrasim të gjitha distriktet për të ardhë në Prishtinë. Më pastaj do të shkojmë me grevë të përgjithshme”.
Rritja e rrogës është kërkesa e vetme e punëtorëve të KEDS&KESCO, sipas Hysenit, i cili ka theksuar se veprimet e tyre janë në përputhje me ligjin për greva.