Punëtorët e KEK-ut, protestuan para Kuvendit të Kosovës, të shtunën, raporton Ekonomia Online.
Ata po kërkojnë që t’iu lejohet tërheqja e një pjese nga Trusti Pensional, i propozuar në kuadër të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Ky projektligj ende nuk është miratuar në Kuvend, edhe pse është tentuar pesë herë, por në mungesë të votave nuk ka kaluar.
Mosvotimi i këtij projektligji është kundërshtuar nga njohës të fushës së ekonomisë, të cilët edhe kanë paralajmëruar se vendi mund të shkojë në kolaps ekonomik nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Nënkryetar i Sindikatës së Re të KEKU-T Nexhat Llumnica, ka thënë se përmes kësaj proteste simbolike kërkojnë që të miratohet ligji për tërheqjen e trustit për 10%.
Tutje, Llumnica shtoi se do të vazhdojnë me protesta më masive.
“Ne sot kemi dalë në një protestë simbolike vetëm kryesia ekzekutive për shkak të masave të covid19 për të mos rrezikuar punëtorët e tjerë. Kërkesa jonë ka qenë permanente që nga fillimi i projektligjit që ka hyrë edhe trusti në atë projektligj. Ne kemi kërkuar që të miratohet ligji për trustin për pjesë të tërheqjes së trustit për arsye se janë shumë kohë të vështira dhe gjendja është e rëndë ekonomike. Ne si sindikatë ju bëjmë thirrje deputetëve të kuvendit të gjejnë një gjuhë të përbashkët që të kalon ligji për tërheqjen e një pjese të trustit sepse kur po kanë interesa personale po dinë të votojnë për veti. Mirëpo herëve tjera nuk do të jetë kështu sepse kemi pasur presion të martën ku mbi 90% pajtohen për të tërhequr këtë pjesë të trustit. Pse të mos mendoj shteti të japë këtë pjesë të trustit. Ne kemi kërkesa edhe tjera siç është marrëveshja kolektive. Kërkesa më urgjente është tërheqja e trustit pensional”, shtoi Llumnica.
Ndërsa Muharrem Gashi, kryetar i Shoqatës për Termocentralin “Kosova B”, tha se deputet duhet të jenë prezent dhe ta votojnë ligjin për trustin sepse ata i ka zgjedhur populli.
“Kjo është një kërkesë e punëtorëve dhe një mesazh për deputetët tonë. Populli ka votuar me qenë present aty. Nuk u kemi bërë kërkesë sindikatave të tjera sepse nuk na kanë lejuar të marrim pjesë më shumë se pesë veta”, tha Gashi.
E Rasiht Gashi Ish-Sindikalist i KEK-ut theksoi se këto mjete janë mese të nevojshme për mirëqenien e secilit qytetar e aq më shumë për neve që punojmë në institucioneve publiko-private.
Ai u bënë thirrje të gjitha organeve përgjegjëse të iu ndihmojnë në forma tjera dhe ti kthejnë mjetet e trustit prej 10%.
“Këto mjete janë mese të nevojshme për mirëqenien e secilit qytetar e aq më shumë për neve që punojmë në institucione publiko-private, ku nuk kemi pasur ndihmën e qeverisë. Siç e dini kërkesa për mirëqenie është rritur shumë. Kemi edhe kërkesa tjera për ta mbajtur higjienën. Dhe nëse qeveria nuk ka mundësi në sistemin e trustit pensional do të ishte e nevojshme që këto mjete të cilat janë taksa të punëtorëve të kthehen në formë të kompensimit të tyre, duke mos e dëmtuar konton e secilit punëtorë”, shtoi Gashi.