Punëtorët e Postës kërkojnë kthimin e 43 pikave postare

Prishtinë | 27 Shk 2017 | 09:00 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Punëtorëve të Postës së Kosovës dhe Shoqata Sindikale “Postieri”, kanë filluar protestën dhe grevën para zyrave të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe të Kuvendit të Kosovës.

“Mos na lini pa bukë”, “Ndalni vendimet e padrejta”, “Posta pronë e Kosovës”, “Stop grupeve të interesit financiar” ishin disa nga pankartat me mbishkrime që mbanin në duar protestuesit, raporton Ekonomia Online.

Etrit Hoti kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës ka thënë se vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është i paligjshëm dhe se është marrë në mënyrë tinëzare.

“Ai është dashur që të konsultohet me menaxhmentin lidhur me këtë, por nuk na ka pyetur asnjëherë”, ka thënë ai.

Hoti ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të shkarkojnë Valon Prestreshin nga kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, tha se pavullnetin e tyre janë mbledhur për të protestuar dhe për t’i alarmuar institucionet për padrejtësinë që është bërë, për mbylljen e 43 pikave postare.

“Ju bëjmë thirrje mos ta shkatërrojnë Postën. Ligji i Prokurimit Publik është i qartë dhe ai që e ka lëshuar këtë vendim si duket se ka lexuar asnjëherë këtë ligj. Telekomit të Kosovës ju me vite nuk ia jepni të drejtën e shfrytëzimit siç e kanë operatorët privat. Kërkojmë që ai vendim të shfuqizohet, kryeministri këtë mund ta bëjë. Nuk do të lejojmë që ky institucion të shkatërrohet nga personat e pandërgjegjshëm”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Naser Gashi nga sindikata ka thënë se brenda një jave Qeveria duhet të reflektojë në të kundërtën protesta do të jetë më e madhe.

“Janë 25 zyra postare të Serbisë të cilat funksionojnë në Kosovë, dhe zotëri Prestreshi nuk i sheh asnjë. Ju lutem na jepni punë nuk duam asgjë tjetër duam të punojmë me ndershmërinë tonë. Nëse Qeveria brenda një jave nuk reflekton ne do të jemi sërish këtu”, ka thënë Gashi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Shaip Muja, tha se do të mundohen që sot jashtë pikave të rendit të ditës në seancën e Kuvendit të fusin edhe kërkesat e sindikalistëve të Postës.

“Çështjen e kësaj proteste do të mundohemi ta fusim në rend të ditës në seancës vazhduese të Kuvendit të Kosovës. Është e turpshme që të bëhet krahasim i postës me institucionet financiare, do të kërkojnë edhe hetim për institucionet financiar”, është shprehur Muja.

Punëtorët e Postës kanë theksuar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të marrin masa tjera duke u futur në grevë.

Ata kërkojnë anulimin e vendimit ose dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (KAKK), Valon Prestreshi, i cili me ndihmën e 2 nga gjithsejtë 5 anëtarë të KAKK-së, ka nxjerrë një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm, që dëmton financiarisht më shumë se 1 000 punëtorë dhe më shumë se 1 000 familje, për interesa të 3-4 kompanive private.

Sindikatat sqarojnë se Preteshi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, që të mbyllin 43 zyra postare të Postës së Kosovës, të cilat ofrojnë shërbimin e pagesave në këto institucione.

Po ashtu, do të deponohet në Kuvendin e Kosovës, peticioni i nënshkruar nga të gjithë punëtorët e Postës, me të cilin kërkojnë shkarkimin e anëtarëve aktuale të KAKK-së.

 

 

Të ngjashme