Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka diskutuar në lidhje me vërejtjet e Sindikatës së pavarur të Shërbimit Korrektues të Kosovës për Projektligjin për Pagat.
Frashër Rracaj nga Sindikata e pavarur e Shërbimit Korrektues të Kosovës kërkoi mbështetjen e komisionit për dhënien e pagës së njëjtë me Policinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Vërejtjet janë sepse nuk figurojmë në pasqyrimin e pagave as në kategori e as në koeficent, mungon ligji për shërbimin e duhur për burgje dhe sjell një varg pasojash të mëdha”, tha Rracaj.
Rracaj tha se nuk i gëzojnë të drejtat e tyre dhe nuk u ofrohen kushtet e mira të punës dhe se llogariten si shërbyes civilë.
“Ne kemi bërë vërejtje dhe ato janë të ligjit të koeficientit dhe kërkojmë nga komisioni të kemi mbështetje që ne si kategori të futemi barabartë me policinë, siç trajtohet policia në këtë ligj, të trajtohemi edhe ne”, tha ai.
Gjatë mbledhjes së sotme u shqyrtua edhe raporti me Rekomandime i Avokatit të Popullit në lidhje me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor, sipas Ligjit për Automjete, raporton EO.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se ligji për automjete nuk i takon Komisionit për Legjislacion, por Komisionit për Zhvillim Ekonomik.
“Edhe ata janë duke u marrë me këtë çështje, por në rast se nuk arrijnë ta plotësojnë ndryshim plotësimin e ligjit atëherë ky komision do ta marrë nën përgjegjësinë e saj. Ne si komision nuk jemi kompetent për ligjin për automjete, është Komisioni për Zhvillim Ekonomik, duhet të adresohej atje edhe pse ju ka shku edhe atyre”, tha Haxhiu.
Anëtari Hajdar Beqa tha se nëse Komisioni i Zhvillimit Ekonomik e përfundon ashtu siç duhet, atëherë nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ana e këtij komisioni, raporton EO.
“Plotësim-ndryshimi nuk parasheh nenin 43 për kushtëzimet dhe kam sugjeruar që komisioni të bëjë amendament të veten dhe nëse na vjen ligji me ndryshime të iniciuar, nëse nuk ka arritë Komisioni për Zhvillim Ekonomik të marrim iniciativë komisioni ynë për ndryshim plotësim të ligjit nëse ata kanë arritë me plotësu atëherë është në rregull”, tha Beqa.
Anëtari Korab Sejdiu tha se ky është cenim i pronës për kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor.
“Avokati ka thënë se kjo është cenim i drejtës së pronës, duhet ta kundërshtojmë në këtë aspekt, çështja e kompenzimit të paaftësive tona me i kry me punët tona po krijon probleme për qytetarët sikur gjobat eventuale nuk i jepen veturës, por personit dhe kompensimi i veturës nuk ka të bëjë asgjë me gjobë”, tha Sejdiu.
“Ne duhet të kemi rishikim të kushtëzimeve të tilla dhe nëse është mundësia me eleminu, sepse nuk arsyetohet shkaktimi i problemeve të qytetarëve vetëm pse ne nuk po dëshirojmë me iu kriju mundësi me i kry punët tona si administratë publike”, tha ai.