Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka organizuar një protestë gjatë ditës së sotme, për shkak të mosekzekutimit të pagave të tyre.
Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi bëri të ditur se punëtorët teknikë të të gjithë shkollave nuk i kanë marrë pagat, por tha se kanë informacione se kompania do të kryej pagesat e saj, raporton EkonomiaOnline.
“Punëtorët teknikë të të gjithave shkollave nuk i kanë marrë pagat . Pagat i kemi marrë me grevë dhe me protesta. Kemi marrë dëshmi që pagat tona do të merren. Është një ”amulli” e një kompanie që iu ka shkëput kontrata dhe vazhdon kjo ngecje. Kemi informacione se kompania do t’i qes pagat në pjesën e vet dhe Komuna e Prishtinës prej 1 deri më 12 tetor do t’i merr obligimet që t’i paguaj’’, është shprehur kryetari Azemi.
Zv.kryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka shprehur keqardhjen e tij për mbajtjen e grevës. Nushi premtoi se të hënën do të kryejnë pagesat, qoftë edhe prej buxhetit personal.
‘’Nuk është mirë që në këtë mënyrë të protestohet përderisa punët ende nuk janë kryer. Ne sot i kemi fëmijët nëpër shkolla dhe banjot nuk janë të pastruara pasi që punëtorët janë duke protestuar. Me këto vepra punëtorët janë duke e anashkaluar marrëveshjen që kemi bërë. Të hënën do ta bëjmë pagesën qoftë edhe prej buxhetit tim personal. Jemi 1 javë para fushatës dhe nuk dua që të bëhen kësi lloj protesta me konotacion politik. Komuna do të perfundojë punën e saj, punëtorët do t’i kenë pagat e tyre. Vonesat janë shkaktuar, shkak i vonesës së Qeverisë. Nuk po iu ikim obligimeve por jemi duke biseduar që të bëjmë zgjidhje, jo vetëm punëtorëve”, tha Nushi.
Fazli Canolli, punëtor teknik në Universitetin e Prishtinës, tha se kjo protestë nuk është çështje politike dhe sipas tij kanë pastruar objektet edhe pse pagat e tyre janë vonuar.
“Kjo nuk është çështje politike, nuk është e vërtetë çka tha ai, na po dalum për idare për fëmijët tanë, dhe shkoni inqizoni kqyrni se krejt shkollat janë të pastra dhe çdo banjo është e pastër”, tha Canolli.
Fazli Idrizi, poashtu punëtorë teknik në Universitet tha se vetëm deri të hënën do të presin dhe nëse nuk dalin pagat do të hyjnë në grevë.
“Do të presim deri të hënën, nëse nuk na dalin pagat do të hyjmë në grevë, hera e tretë qwë po ndodh kështu që po i nxjerrum pagat përmes grevës dhe protestave”, tha Idrizi.