Punëtorët e Telekomit protestojnë pasi bllokimi i llogarisë së kompanisë i la pa paga

Prishtinë | 02 Pri 2024 | 12:21 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pjesëtarët e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës kanë protestuar të martën, më 2 prill, para objektit kryesor që shfrytëzohet prej Telekomit në Prishtinë, si shenjë pakënaqësie për mosmarrje të pagës së muajit shkurt.

Llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar në fund të muajit shkurt, si pasojë e një borxhi në vlerë të disa miliona eurove ndaj kompanisë tjetër telefonike Z-Mobile.

Menaxhmeti i Telekomit pati deklaruar se më 29 shkurt 2024, Telekomi kishte marrë njoftim për bllokim të llogarive.

Në protestën e së martës, kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj, ka kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të bëjnë presion publik për hetim ligjor për dëmet që po i shkaktohen Telekomit.

“Kërkoj nga Kolegji i shkallës së dytë i Gjykatës Komerciale – sepse i ka mundësitë ligjore – sa më shpejt të marrë një vendim, sepse ne besojmë fuqishëm në vendimin e shkallës së dytë, sepse dy herë e kanë sjellë vendimin pozitiv, të mos na lënë pa paga, pasi pagat janë obligim ligjor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë

“Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, ka thënë Balaj.

Mes tjerash, ai ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që të hetojë ato që i ka konsideruar “kontrata të dëmshme që janë nënshkruar në Telekomin e Kosovës”.

“Kërkesa jonë tjetër është që sa më parë duhet Prokuroria e Shtetit të mos rrijë në gjumë, sepse nuk i kemi bërë thirrje sa për sy e faqe, sepse Telekomi është shkatërruar nga kontrata, qeveritë janë ata që  e kanë menaxhuar Telekomin e Kosovës”, u shpreh Balaj.

Drejtori Financiar i Telekomit të Kosovës, Feim Kelmendi, konsideron se janë paguar mbi 10. 5 milionë euro se sa detyrimi që ka qenë në vendimin e arbitrazhit.

“Pretendimi ynë është se ne e kemi tejkaluar pagesën e obligimit ndaj vendimit të arbitrazhit sepse në opinion qëllimisht apo pa qëllim po paraqitet sikur se Telekomi nuk po e zbaton vendimin e arbitrazhit dhe po e konteston mundësitë e Telekomit me e kundërshtuar vendimin e arbitrazhit janë zero ne nuk po e kontestojmë ne po kërkojmë ekspertizë edhe shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e cila i definon pagesat dhe kompensimet që janë bërë sipas atij vendimi sipas kalkulimeve tona mbi 10. 5 milionë euro janë paguar më tepër së sa detyrimi që ka qenë në vendimin e arbitrazhit”, ka thënë Kelmendi.

“Ne presim dhe jemi të bindur se të gjitha faktet qojnë së shkalla e dytë prap ka me e kthy ose ka me marr vendim vetë. Ne jemi të bindur se një ekspertizë origjinale ka me i caktu 100 për qind pretendimet tona sepse janë të gjitha të faktuara. Neve na vie keq për punëtorët dhe kreditorët tjerë që kanë mbetur pa pagesa më tepër se një muaj, në gjendjen më të keqe janë punëtorët sepse të gjithë e dimë që punëtorët të vetme burim të ardhurave i kanë pagat që i marrin në Telekom”.

Të ngjashme