Punëtorët shëndetësorë në rrezik nga epidemia, Avdyli i quan të padijshëm, i reagon Kadrijaj

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 12:11 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjendja epidemiologjike në vend është stabile, por shqetësim mbetet mosvaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

Në komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, deputetët diskutuar rreth informatës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, lidhur me gripin sezonal në Kosovë dhe rreth themelimit të Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, raporton Ekonomia Online.

Sipas ligjvënësve, ka pasur mungesa të vaksinave për të gjithë punëtorët dhe pacientët.

Kryesuesja e komisionit, Besa Baftiu, tha është dashur të ketë doza më shumë në mënyrë që të parandalohen epidemi të tilla.

“Vaksina kanë qenë 80-100 mijë dozë, vaksina duhet marrin grupet të rrezikuar dhe këtë e kanë marrë edhe stafi mjekësor, si rekomandim së paku në vitet në vijim kur jepen vaksinat të merren dhe të ketë doza të mjaftueshme që gjithë punëtorët shëndetësor duhet të vaksinohen të mos ndodh ajo më e keqja siç ka ndodhur këtë vit”, tha Baftiu.

Baftiu e vlerësoi gjendjen stabile, sipas saj, numri i pacientëve të prekur nga gripi është zvogëluar.

 “Vaksina kanë marrë grupet të cilat kanë qenë të rrezikuara ata me sëmundje kronike dhe në moshë dhe dihet periudha kur merren, vaksinat kanë filluar të jepen në vazhdimësi ka qenë i pamjaftueshëm. Në kohën që jemi sot del se situata epidemiologjike është në kontroll, numri i prekur nga gripi është duke u zvogëluar është në kontroll dhe pasi jemi në sezonin e pranverës do duhet të ishte më pak”, shtoi Baftiu.

Anëtari i këtij komisioni nga LDK-ja, Haxhi Avdyli, e quajti skandaloz këtë vit të shëndetësisë.

Sipas tij, institucionet shëndetësore pos që e kanë detyrë të përmirësojnë shëndetin e pacientëve ata kanë detyrë të marrin edhe masa parandaluese, gjë qe sipas tij kjo nuk ka ndodhur.

“Mobilizimi për gripin ka qenë skandaloz nuk ka pas mobilizim fare, ka qenë një mobizilim sa për sy e faqe i vonuar dhe gripi e ka bërë të vetën. Institucionet shëndetësore paguhen edhe për të parandaluar, masat parandaluese nuk kanë ekzistuar dhe ka qenë dështim total i sistemit shëndetësor këtë vit, shpresoj se ky vit do jetë mësim për vite tjera sepse ky vit ka qenë skandaloz”, tha Avdyli, raporton Ekonomia Online.

Avdyli shtoi se punëtorët shëndetësor janë të padijshëm për arsye se nuk kanë marrë preventiva për të ndaluar këtë epidemi.

“Nuk ka pas mobilizim me vaksinë, se sa ky sistem shëndetësor në dor te kujt ka ra shihet  edhe në raport i cili është qesharak”, shtoi ai.

Për këtë deklaratë të Avdylit, reagoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. Sipas saj, nuk mund të fyhen punëtorët shëndetësorë.

 “Nuk pajtohem që thotë Haxhia që janë të padijshëm sepse është fyese nuk ka qenë menaxhim i mirë por njerëz të padijshëm nuk na bën nder që ne të i fyejmë kolegët tanë”, tha Kadrijaj.

Avdyli iu kundërpërgjigj Kadrijajt, duke thënë se punëtorët jo vetëm që janë të padijshëm por të papërgjegjshëm.

“Jo vetëm të padijshëm por edhe të papërgjegjshëm ata paguhen nga taksat tona për të parandaluar këto epidemi dhe ata duhet marrin masa para se me ndodh kanë dështuar totalisht ata detyrë tjetër nuk kanë kjo është detyra e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, tha ai

Se punëtorët shëndetësore janë në rrezik e thotë edhe deputeti Naser Rugova. Sipas tij, ata kanë kontakt me shumë elemente që mund të i shkaktojnë vdekje.

“Mbi 14 mijë punëtor shëndetësor dhe ata duhet të kenë preventiva, jo vetëm administrata të vaksinohet me vaksinë kundër gripit, por cili prej tyre është i vaksinuar kundër hepatitit që një gjak me qenë në kontakt me ta mundet me shkaktuar vdekje. Të jetë një mësim prej këtij viti sepse vdesin njerëz të ri dhe punëtor shëndetësor në shekullin 21 jam i shqetësuar jo vetëm për sistemin shëndetësor por edhe për hallet tjera”, tha Rugova, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme