Punëtorë e teknik të spitaleve kanë protestuar sot përball Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me mos marrjen e pagesës stimuluese të punës së tyre gjatë pandemisë, shkruan arbresh.info.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi, para mediave tha se sot për një orë nuk do të punohet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend, si shkak i grevës e cila sipas tij nuk dihet nëse do të zgjas në rast se prapë nuk do të ketë interes për të bashkëpunuar nga ana e Qeverisë.
“Sot nga ora 11-12, punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik nuk do të kryejnë shërbimet e tyre për një arsye pasi që Qeveria e Kosovës ka bërë një diskriminim të madh lidhur me me një benificion shtesë që është bërë për mjekët dhe infermierët nga 60 euro, por që ne edhe pse në të njëjtin objekt në të njëjtën ndertës punojmë bashkërisht dhe ne jemi shumë më të rrezikuar se mjekët dhe infermierët e ku është bërë një diskriminim për të cilin ne nuk e kemi menduar”, tha Azemi.
Tutje ai tha se ata në vazhdimësi kanë kërkuar takim me dikasteret përgjegjëse por që nuk i janë përgjigjur.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të takohemi me Ministrin e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave dhe me Kryeministrinë që ta zgjedhim këtë problem sipas të gjitha gjasave ata kanë vendosur që të baraikadohen dhe të mos merren me çështjen ose problemin të cilin ne e kemi vendos në tryezë”, tha Azemi.
E ndërkaq Sabri Ejupi përfaqësues i punëtorëve të sigurimit në QKUK po ashtu tha se ata në këtë kohë janë diskriminuar.
“Sot kemi mbajt një protestë për arsye se jemi diskriminuar ne punëtorët e sigurimit kështu që nuk kem koment nuk kem çka flasim”, tha Ejupi.
Ndërkaq gjatë protestës para tyre doli edhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi i cili i ftoi palët brenda ministrisë për të diskutuar në mënyrë që të sqarohen gjërat.
E pas këtij takimi ata ranë dakord që këto kërkesa ti administrohen Ministrit.
“Ne kërkuam nga sekretari që kërkesat tona ti përcjell tek ministri dhe decitivisht e tha që kërkesat e juaja janë kërkesa të arsyeshme por që në bazë të disponimit të cilin e pash shpresoj që ky do të jetë një problem shumë i vogël dhe shpresoj që kërkesa jonë shumë shpejt do të realizohet”, tha Azemi.