Afro 300 punëtorë të ndërmarrjes publike lokale “Tregu” në Gjilan kanë hyrë në grevë që nga e hëna dhe po vazhdojnë ende, me kërkesën për rritje të pagave.
Në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur sot në Gjilan, kryetari, Alban Hyseni ka njoftuar se ka ndarë 180 mijë euro për punëtorët e tregut.
Ai thekson se me këtë buxhet janë paraparë që pagat e tyre të rriten me vlerë prej 70 euro.
“180 mijë euro janë planifikuar që pagat e tyre të rriten me vlerën prej mbi 70 euro, me crast barazohen me punëtorët e tjerë që punojnë me kontrat e rregullta, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit”, theksoi Hyseni.
Këta punonjës shërbimet e tyre i ofrojnë nëpërmjet ndërmjarrjes publike “Tregu”, e cila është e kontraktuar nga Komuna.
Ndryshe, paga mujore e punëtorëve të ndërmarrjes “Tregu” është 330 euro, e kërkesat e tyre janë që ajo të bëhet 420 euro.