Punëtorët e Korporatës Energjetike me protestë sot (e mërkurë), kërkojnë t’i realizojnë disa nga kërkesat e tyre.
Përfaqësues të Sindikatës së re të KEK-ut (SR-KEK), thonë se pos rritjes së pagave për 100 euro, duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, kërkojnë edhe zbatimin e Marrëveshjes kolektive dhe Ligjit të punës, ushqim të bollshëm dhe për furnizim të punëmarrësve me thëngjill, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i SR-KEK, Rafet Osmani, thotë se janë të detyruar të vazhdojnë këtë formë të presionit pasi, sipas tyre, menaxhmenti i kësaj korporate nuk i ka përfillur këto kërkesa. Sipas tij, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, u kishte premtuar rritjen e pagave, por që deri tashti kjo nuk ka ndodhur.
Kryetari i SR-KEK ka thënë se nëse edhe pas kësaj proteste nuk gjejnë mbështetje nga menaxhmenti i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës për implementimin e kërkesave të tyre, janë të obliguar të zgjedhin rrugët tjera konform Ligjit për organizimin e grevës dhe se për përshkallëzimin e gjendjes në KEK, sipas tij, përgjegjësinë.
Përfaqësuesit e SR-KEK e kanë akuzuar edhe kryetarin aktual të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, se me sindikatën e vjetër të kësaj korporate po mundohen të zbehin punën e tyre.
Ndaj thirrjes së Sindikatës për protestë, ka reaguar udhëheqja e KEK-ut. Ajo ka rikujtuar problemet me mihjen sipërfaqësore dhe vështirësitë financiare me të cilat po përballet KEK-u.
Sfidat operative dhe financiare me të cilat ballafaqohet KEK-u, janë evidente. Ndalesa 14- mujore e punës së ekskavatorëve për zbulim qymyri ka shkaktuar dëme, duke marrë parasysh natyrën e punës dhe aspektet sezonale në të cilat gjendemi. Tashti jemi duke luftuar me kohën për të siguruar qymyr për termocentralet gjatë dimrit.