Punonjësve të BE’së pritet t’u rriten pagat me 7% sivjet, presidentja e KE-së do të marrë mbi 1 mijë euro në ditë

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

50,000 punonjësit e BE-së po fërkojnë duart pasi do të marrin rritjen e dytë të pagave në gjashtë muaj. Pagat e tyre do të rriten me 7 për qind, sipas asaj që raporton gazeta gjermane Bild.

Edhe pse zyrtarët e BE-së kanë paga të majme, tashmë atyre u është aplikuar një rregullim automatik për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Për këtë arsye, pagat e tyre janë rritur që nga mesi i vitit të kaluar me 2.4% krahasuar me fillimin e janarit 2022. Rritja e re do të zbatohet në mënyrë retroaktive nga korriku, thuhet në artikullin e Bild.

Rrjedhimisht, paga bazë e presidentes 64-vjeçare të Komisionit Europian do të rritet me 2044 euro krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 31 250 euro. Ursula von der Leyen tashmë mund të bëhet e para kryetare e KE-së, me një pagë që kalon 30 mijë euro.

Në bazë të rritjes së re, ajo do të fitojë 1000 euro në ditë dhe së bashku me kompensimin për udhëtime jashtë vendit, paga e saj mujore do të arrijë në 36,000 euro. Nga ana e tyre, komisionerët e BE -së do të marrin 1667 euro shtesë me pagën e tyre prej 25 475 euro.

Në të njëjtën kohë, pagat e 705 eurodeputetëve do të rriten me gati 700 euro, duke arritur në 10,495 euro në muaj dhe për herë të parë do të tejkalojnë 10 mijë euro.

Por nëpunësit civilë të Parlamentit Europian do të kenë edhe bonus. Paga bazë më e ulët e një punonjësi në Parlamentin Evropian do të rritet me 214 euro, duke arritur në 3 272 euro dhe më e larta me 1 483 euro duke arritur në 22 646 euro.

Të ngjashme