Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa me të cilin ka biseduar për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Serbisë.
Mustafa me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Pupovci ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të arritjen e marrëveshjes me Beogradin.
“Një takim sa zyrtar po aq edhe miqësor me zëvendësministrin e arsimit Prof. Dr. Dukagjin Pupovci. Sipas zëvendësministrit kjo ministri por edhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes me Beogradin zyrtar për njohjen reciproke të diplomave të arritura në gjitha nivelet e shkollimit. Kjo temë është në agjendën e Qeverisë Kurti mbase prioritare”.
“Nga ana tjetër Ministria e Arsimit do të përkushtohet që vitin tjetër akademik të fuqizohen kuotat për studime themelore në nivelin bachelor gjersa për ato master nuk do të ketë kuotizim por kandidatët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja do të trajtohen njëlloj si me qenë të Kosovës. Nga ky vit akademik, studentët e Luginës nuk do të paguajnë tarifat e shkollimit si në nivelin bachelor po ashtu edhe ato në master, nënkuptohet për ata studentë që janë të regjistruar në Universitetet Publike”.
“Agjendë tjetër e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë Kurti në bisedimet Prishtinë – Beograd do të jenë dhe tekstet mësimore shkollore. Faleminderit Republikë e Kosovës për kujdesin ndaj të rinjve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci”,ka thënë Mustafa.