Pushimet e ëndrrave u kthyen në makth, Porsche i lë dy gjermane rrugëve e serviseve

Prishtinë | 29 Gus 2026 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Një udhëtim që duhej të ishte pushim i qetë në Angli u kthye në një makth për një 31-vjeçare dhe nënën e saj 58-vjeçare nga Hamburgu.

Eileen R. dhe nëna e saj Sonja u nisën drejt Anglisë me një Porsche Macan 4S elektrik, bashkë me një çadër, një kuti bagazhesh dhe dy qen.

Por, në vend të qëndrimeve të planifikuara në kampingje, ato përfunduan duke kaluar 10 ditë në servise makinash.

Problemet nisën që në ditën e dytë të udhëtimit, kur në panelin e makinës u shfaqën sinjale paralajmëruese.

 Pas një kontrolli në një servis të Porsche-s, makina u rikthye në rrugë, por defekti u shfaq sërish, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.

Në ndalesën e radhës për karikim, kapaku i portës së karikimit u bllokua plotësisht.

Që nga ai moment, dy gratë u përballën me mekanikë, kërkime për hotele, kompani tërheqjeje dhe telefonata me shërbimin e asistencës së Porsche-s.

Nëna e 31-vjeçares, Sonja, pretendon se shërbimi i asistencës së kompanisë dështoi në koordinim.

Sipas saj, makina qëndroi për dy ditë në një depo, pa u dërguar në kohë në servisin e autorizuar.

Problemi vazhdoi edhe pasi makina mbërriti në Porsche Centre South Lakes në Carnforth të Anglisë.

 As rinisja e plotë e sistemit dhe as zëvendësimi i motorëve që kontrollojnë kapakun e karikimit nuk e zgjidhën defektin.

Porsche ka deklaruar se kapaku mund të hapet edhe në rast emergjence, por kjo kërkon heqjen e një pjese të lyer të kapakut.

 Në këtë mënyrë krijohet hapësirë për lidhjen e kabllos, por makina mund të karikohet vetëm me rrymë alternative (AC), pasi lidhësi më i madh për karikim të shpejtë DC nuk mund të futet përmes kësaj hapësire.

Makina në fjalë, një Porsche Macan 4S me 448 kuaj fuqi, ka një çmim listë prej rreth 118 mijë eurosh.

Të ngjashme