Ka gjasa të mëdha që Cristiano Ronaldo, Neymar dhe James Rodriguez të mos kenë ide se në cilin vend i kanë lënë trofetë “Puskas Award”, që i kanë marrë nga FIFA së fundi. Për këta lojtarë, trofetë si ky janë vetëm një objekt që do të zërë diku vend në kabinetin e tyre të pasur.
Por kështu nuk është edhe për brazilianin Wendell Lira që këtë çmim nga FIFA e fitoi për golin më të mirë të vitit 2015, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Lira u shpërblye për golin me “gërshërë” që e kishte shënuar në ndeshjen kampionale të divizionit të ulët brazilian ndërmjet skuadrave Goianesia – Atletico.
Për ta rrëmbyer këtë çmim, Wendell kishte pasur konkurrencë të fortë, duke lënë në pozitën e dytë yllin e Barcelonës, Lionel Messi. Wendell insiston se çmimi “Puskas Award” ia ka shpëtuar jetën.
Përpara se të nominohej për këtë çmim, Wendell po jetonte me një dilemë të madhe. Ai ishte i papunë dhe nuk e kishte idenë se ku të gjente para për të ushqyer familjen: gruan dhe vajzën e vogël.
Si lojtar i ligave të ulëta, Wendell ishte pjesë e statistikave katastrofale në Brazil, ku 82 për qind e futbollistëve marrin më pak se 200 euro pagë mujore.
Vetëm 60 skuadra në Brazil kanë kalendar të plotë të garave për një vit, që do të thotë se te skuadrat e tjera lojtarët kanë kontrata për vetëm gjashtë muaj.
Këtë jetë po e jetonte Wendell deri më 2015. I zhytur në probleme të mëdha, ai po e mendonte edhe vetëvrasjen. Në një rast kishte hipur në veturën e tij dhe për dy orë voziti me shpejtësi maksimale. Gjatë kësaj vozitjeje kishte menduar, disa herë, që të përplaset qëllimisht me kamionë.
“Nuk kisha para për të paguar qumështin e vajzës”, kujton Wendell. “Vuaja nga presioni i madh për shkak se isha pa punë dhe totalisht pa perspektivë. Nuk mund ta shikoja veten në pasqyrë”.
Ai kishte ndaluar veturën dhe për dy orë të tjera kishte qarë me zë. Wendell po përpiqej të gjente forcë dhe trimëri të mjaftueshme për të vozitur veturën që t’i dalë përpara kamionit. Mirëpo, në fund nuk pati zemër për ta bërë një gjë të tillë kur iu kujtuan gruaja dhe vajza.