Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur konferencën e tij vjetore me pyetje dhe përgjigje, teksa më shumë se 1.5 milion pyetje i janë nisur nga e gjithë Rusia, në kohën e vështirësive ekonomike me të cilat po përballet ky shtet.
Putin ka thënë më 20 qershor se disa prej pyetjeve që ka arritur t’i lexojë para transmetimit të drejtëpërdrejtë, kanë qenë rreth jetës në Rusi, të ardhurave dhe aspektit shëndetësor.
Pasi u është përgjigjur disa prej këtyre pyetjeve, Putin ka folur edhe për sanksionet perëndimore në Rusi, të cilat ka thënë t’i kenë kushtuar vendit që ai drejton nga 50 deri në 55 miliardë dollarë.
Presidenti rus ka shtuar se Evropa ka humbur më shumë sesa Rusia, për shkak të sanksioneve, duke theksuar se Rusia është duke zhvilluar teknologjinë e vet, në mënyrë që të zëvendësojë pajisjet që ka blerë dikur nga vendet tjera.
“Në shumë aspekte, sanksionet na kanë mobilizuar”, është shprehur ai.
I pyetur nëse Moska do të marrë masa për t’u liruar nga sanksionet dhe do të “bëjë paqe”, Putin ka thënë se “ne nuk kemi mospajtime” me askënd, dhe bazuar në qasjen e Perëndimit ndaj Rusisë, “asgjë nuk do të ndryshojë edhe nëse ne ndërrojmë qëndrim”.
Shtetet perëndimore kanë sanksionuar Rusinë për shkak të vendimit të Moskës që aneksojë Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, si dhe për mbështetjen që u ka dhënë separatistëve në lindje të Ukrainës.
Si pasojë e këtij konflikti, kanë vdekur më shumë se 10,300 persona.