Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se rreziku i një lufte bërthamore nuk duhet të nënvlerësohet dhe kritikoi Shtetet e Bashkuara për braktisjen e marrëveshjeve për armë.
Duke folur në konferencën vjetore për media në Moskë, Putin tha se shpreson se do të mbizotërojë gjuha e përbashkët në kohën e tensioneve të rritura midis Rusisë dhe Perëndimit.
Putin tha se lufta bërthamore mund të çojë në “vdekjen e qytetërimit”.
Kjo është së paku hera e dytë në disa muaj që Putin ngre publikisht mundësinë e një katastrofe të tillë.
Putin tha se tërheqja e SHBA-së nga Traktati i Raketave Anti-Balistike në vitin 2002 e ka minuar “balancën strategjike” midis Moskës dhe Uashingtonit.
Ai tha se plani i SHBA-së për tërheqje nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme është “një tjetër hap” në këtë drejtim.
Putin po ashtu tha se është keq që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk bisedojnë për Startin e Ri, një traktat i armëve bërthamore me rreze të gjatë, që skadon në vitin 2021, por që mund të zgjatet për pesë vjet nëse dy vendet pajtohen.