Vladimir Putin ka nënshkruar ligje që u japin ish-presidentëve dhe familjarëve të tyre imunitet nga ndjekja penale dhe ua mundësojnë atyre që të bëhen senatorë të përjetshëm në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus edhe pas kryerjes së mandatit në krye të Kremlinit.
Sipas medieve ruse, ky ndryshim vjen mes pikëpyetjeve mbi të ardhmen e Putinit pasi mandati i tij aktual skadon në vitin 2024 dhe është pjesë e reformave gjithëpërfshirëse kushtetuese që lejojnë atë të injorojë kufijtë aktualë dhe të kandidojë për dy mandate të tjera prej gjashtë vjetësh.
Me ligjet e reja, Putini nuk do të mund të merrej në pyetje e as të ndiqej penalisht pavarësisht dëshmive që do të mund ta përfshinin në procese hetimi.
Ndryshe, ai do të duhej të largohej nga Kremlini më 2024, kur edhe i përfundon mandati aktual. Ky është mandati i dytë i njëpasnjëshëm i Putinit, prej katër sosh sa është në krye të Rusisë.
Kohë më parë, analisti politik Valery Solovei kishte thënë se, Putini ka në plan të jap dorëheqjen e tij nga pozita e presidentit në fillim të vitit të ri.
“Unë nuk jam mjek dhe nuk kam asnjë të drejtë etike për t’i zbuluar këto probleme. Diagnoza e dytë është shumë më e rrezikshme, pasi Parkinsoni nuk kërcënon gjendjen fizike, por thjesht kufizon paraqitjet publike. Por ekziston një diagnozë fatale”, ishte shprehur Solovei.
Po ashtu, të dhëna nga burimet e brendshme të Kremlinit thanë se, ai ka simptoma që lidhen me sëmundjen e Parkinsonit.
Spekulimet se mbretërimit të tij 20-vjeçar mund të jetë afër fundit, u rritën pasi u hartuan disa ligje që e bëjnë atë deputet për gjithë jetën kur ai të jep dorëheqjen.