Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar ligje që u japin ish-presidentëve imunitet të zgjatur nga ndjekja penale dhe ua mundësojnë atyre që të bëhen senatorë të përjetshëm në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, pas kryerjes së mandatit në krye të Kremlinit.
Ligjet e reja pasojnë reformat që kishin nisur më parë në Rusi, me nismën e Putinit. Në mesin e ndryshimeve të tjera janë edhe ato që ia mundësojnë Putinit të garojë edhe për dy mandate presidenciale prej gjashtë vjetësh. Ndryshe, ai do të duhej të largohej nga Kremlini më 2024, kur edhe i përfundon mandati aktual. Ky është mandati i dytë i njëpasnjëshëm i Putinit, prej katër sosh sa është në krye të Rusisë. Me ligjet e reja, Putini nuk do të mund të merrej në pyetje e as të ndiqej penalisht pavarësisht dëshmive që do të mund ta përfshinin në procese hetimi.